Sot nga ora 19:00 organizohet bisedë, e Xheni Karajn lidhur me politikat feministë queer, ngjarje kjo e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Lëvizja feministe dhe lëvizja queer mund të lokalizohen si historikisht dhe politikisht të ndara, me terrene dhe subjekte të veçuara analize, mobilizimi dhe projekte të ndryshme çlirimi. Qasje identitare e shohin feminizmin si lëvizje që organizohet mbi çështjen gjinore përmes prizmit të gruas, ndërsa atë queer si lëvizje që merret me seksualitetin. Megjithatë, kontributet dhe jetët radikale të shumë prej feministeve/ëve queer përgjatë historisë e kanë sfiduar këtë kategorizim, duke refuzuar ndasitë dhe duke i parë këto dy pozicione të ndërthurura me njëra-tjetrën rreth një projekti të përbashkët -çlirimin e të gjithave/ëve nga çdo sistem shtypës.
Ky rikonfigurim gërshetues i vazhdueshëm si përpjekje e përditshme trupëzohet edhe në punën politike të Xheni Karajt, aktiviste feministe queer nga Shqipëria. Duke e marrë feminizmin queer si pikënisje, kjo bisedë vjen si një ndërhyrje diskursive e cila i bën jehonë domosdoshmërisë së ndërthurjes së projekteve politike, mprehjes së kapaciteteve tona organizative dhe imagjinuese, forcimit dhe krijimit të formave të reja të solidaritetit dhe transformimit radikal shoqëror.