Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallë fajtori të pandehurin K. P. për shkaktim të aksidentit me fatalitet, si dhe marrje e lejes së vozitjes, duke i ndaluar drejtimin e automjetit në kohëzgjatje prej tri (3) vjet, duke u llogaritur pas mbajtjes së dënimit të shqiptuar.
Ai u dënua për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Pas shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari i Departamentit të Përgjithshëm, Samedin Cena, e shpalli fajtor të pandehurin K. P., për veprën penale të rrezikimit të trafikut publik, e cila kishte përfunduar me fatalitet. Të pandehurit iu shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej shtatë (7) vjet si dhe dënim plotësues marrje e lejes së vozitjes, duke i ndaluar drejtimin e automjetit në kohëzgjatje prej tri (3) vjet, duke u llogaritur pas mbajtjes së dënimit të shqiptuar”.
“I pandehurit K. P., është gjetur fajtor sepse “me datë 30.06.2022 rreth orës 12:05 minuta në lagjen Dardania në Gjakovë, saktësisht përballë marketit “E.”, nga pakujdesia rrezikon trafikun publik edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se me një veprim të tillë të do vijë deri te pasoja e ndaluar, lehtas e ka marrë se gjerë tek ajo nuk do të vijë apo në momentin e duhur do t’i shmanget dhe me këtë iu shkakton vdekjen tani të ndjerëve M. S. dhe S. G., në atë mënyrë që derisa i pandehuri K. P., ishte duke drejtuar automjetin e tipit VË Golf, me targa ..- , fillon të bëjë kthim të pasigurt nga ana e djathtë në të majtë e drejtimit të lëvizjes së tij, duke ia marrë përparësinë e lëvizjes automjetit të tipit “Opel” me targa …- (autoambulancës së QKMF-së në Gjakovë), e cila vinte nga drejtimi i Pejës për në Gjakovë me drita vezulluese dhe alarmin sinjalizues, ashtu që në pamundësi që t’i shmanget aksidentit, automjeti i ambulancës me pjesën e parë e godet veturën e të pandehurit në pjesën anësore të anës së djathtë, me ç ‘rast vetura e të pandehurit gjatë rrokullisjes e godet veturën e tipit “Mercedes 208” me targa ..- pronë e të dëmtuarit A. D., ndërsa autoambulanca devijon jashtë rrugës dhe e godet veturën e tipit “ Golf 2 “me targa ..- pronë e të dëmtuarës K. M. si dhe veturën” e tipit “Kia Sorento” pronë e të dëmtuarit P. O., ku si pasojë e këtij aksidenti përveç dëmeve materiale, kanë ndërruar jetë S. Gj. me datë 01.07.2022 dhe M. S.me datë 05.07.2022, ndërsa lëndime të rënda trupore pësojnë A. A., Z. D. dhe F. B., të cilët ishin në automjetin e ambulancës, lëndime këto të përshkruara në ekspertizën mjeko.”
I pandehuri është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës të paguajë shumen prej 1700 euro dhe koha e kaluar në paraburgim nga data 30 qershor 2022 e deri më datë 21 nëntor 2023, do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.
Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar./Express/