Wolverhamptoni ishte njëri prej klubeve ku kishte luajtur Diogo Jota gjatë karrierës së tij të suksesshme para se të përfundonte në Liverpool.
E klubi anglez ka dalë me një reagim ngushëllues dhe të dhimbshëm pasi e mori lajmin për vdekjen e hershme dhe të papritur të futbollistit portugez, i cili ndërroi jetë bashkë me vëllain e tij, Andre Silva pas një aksidenti të tmerrshëm trafiku, të pësuar në Spanjë, shkruan “Gazeta Express”.
“Jemi zemërthyer. Diogo adhurohej nga tifozët tanë, dashurohej nga shokët e tij të ekipit dhe çmohej nga të gjithë ata që punuan me të gjatë kohës së tij te Wolves. Kujtimet që ai i krijoi nuk do të harrohen kurrë. Zemrat tona janë me familjen, miqtë dhe të dashurit e Diogos dhe vëllait të tij, Andres. Do të na mungosh vërtet dhe do të kujtohesh gjithmonë”, shkroi klubi i Premierligës. /Gazeta Express