Greva në kontrollin e trafikut ajror francez sjell kaos në fluturime, preken mbi 30 mijë pasagjerë - Gazeta Express
string(97) "greva-ne-kontrollin-e-trafikut-ajror-francez-sjell-kaos-ne-fluturime-preken-mbi-30-mije-pasagjere"

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 12:10

Greva në kontrollin e trafikut ajror francez sjell kaos në fluturime, preken mbi 30 mijë pasagjerë

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 12:10

Mijëra pasagjerë janë prekur nga një grevë në kontrollin e trafikut ajror francez që ka bërë të anulohen fluturimet në Francë, duke shkaktuar pasoja edhe në pjesë të tjera të Evropës.

Greva kombëtare e kontrollorëve të trafikut ajror në Francë ka nisur të enjten për të protestuar ndaj mungesës së stafit dhe pajisjeve të vjetruara, duke detyruar kompanitë ajrore të anulojnë fluturime dhe duke shkaktuar kaos udhëtimi për mijëra pasagjerë.

Ryanair ka thënë se është detyruar të anulojë mbi 170 fluturime, duke prishur planet e pushimeve për më shumë se 30,000 pasagjerë, raporton BBC.

Sipas France 24, dy sindikata franceze janë duke zhvilluar grevën dy-ditore (enjte dhe premte) për kushtet e punës, duke çuar në anulimin e një të katërtës së fluturimeve në aeroportet kryesore të Parisit dhe gjysmën e fluturimeve në aeroportin e Nices.

Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, i ka dënuar si të papranueshme kërkesat e sindikatave dhe vendimin për grevë në një moment të rëndësishëm për pushuesit.

Ndërkohë, kompania Ryanair ka thënë se greva ndikoi jo vetëm fluturimet drejt dhe nga Franca, por edhe avionët që kalojnë mbi hapësirën ajrore franceze për destinacione si Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Spanja dhe Greqia.

Bëhet e ditur se situata pritet të përkeqësohet të premten në aeroportet franceze, me 40% më pak fluturime në aeroportet Charles de Gaulle, Orly dhe Beauvais të Parisit.

Greva është thirrur nga sindikata UNSA-ICNA, e cila ka përmendur mungesën e stafit, problemet me menaxhimin dhe planin për të futur një sistem kontrolli kohor për kontrollorët si disa nga shqetësimet e saj.