Kryetarja e Socijaldemokratska Unija, Duda Balje, aktualisht është duke mbajtur takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Kjo e fundit për sot i la takimet me kryetarët e partive nga komunitetet joshumicë, ndërsa dje takoi katër kryetarët e partive të shumicës shqiptare.
Takimet në Presidencë po vazhdojnë edhe pas dështimit të radhës në Kuvend për të konstituuar legjislaturën e nëntë.
Nga mëngjesi në Presidencë sot shkuan kryetari i Guxo, Faton Peci, ai i Partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, kryetari i Kosova Demokratik Türk Partisi, Fikrim Damka, kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës, Elbert Krasniqi dhe aktualisht deputetja Balje.
Osmani dje ka filluar më një cikël të ri konsultimesh lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për situatën në Kuvend, raporton Gazeta Express.
Pas takimeve, Presidenca tha se liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit”.
Megjithatë, siç u pa sot, këto takime s’prodhuan rezultat.