Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, është deklaruar rreth komenteve të Albin Kurtit, për udhëheqjen e PDK-së, duke i cilësuar ato si shpërfaqje e nervozizmit, frikës dhe krizës së shumëfishtë që lideri i Vetëvendosjes i ka, shkruan Gazeta Express.
Krasniqi ka thënë edhe se, Kurti në opinionin publik është fajtori kryesor për gjendjen aktuale në Kuvend
‘‘E kam pa sot transkripten e kësaj interviste, është shpërfaqje e nervozizmi dhe frikës së Kurtit, është shpërfaqje e krizës së shumëfishtë. Është njeriu që ka fitu 48 mandate, dhe s’është në gjendje me bë shumicën parlamentare. Është edhe në sytë e opsionit publik shkaktari dhe fajtori kryesor për krizën politike’’, ka thënë ai.
Tutje, Krasniqi ka deklaruar edhe se Kurti është duke e pritur me ‘’tmerr’’ zgjedhjet lokale të tetorit, sepse ky i fundit e di që ‘‘plandoset’’ me keq nga partitë e tjera, se sa para katër viteve.
Këto frika, ka shtuar Krasniqi, janë ato që e shpërfaqin në ndërdijen e tij me deklarata ‘’qesharake’’.
‘’Është njeriu i cili që çdo ditë e pret me tmerr datën 12 tetor sepse e din jo vetëm që do ta mundimin, por do ta plandosim në kuptimin elektroral, ma zi se sa që ia kemi bë para katër vjete. Krejt këto frika të tij janë frika që shpërfaqën në ndërdijen e tij me deklarata të tilla qesharake’’, ka vijuar tutje ai.
Më tej, lideri i PDK-së, ka thënë se deklaratat e Kurtit për Thaçin e Veselin s’janë diçka e re, dhe se, sipas tij, ‘’ndoshta Kurti po ashtu tmerrohet’’ nga fakti që ish-krerët e UÇK mund të lirohen shumë shpejt.
”Sa i përket deklarimit në raport me presidentin Thaçi, dhe kryetarin Veseli, nuk është diçka e re. Me këtë deklaratë ai po vazhdon me qenë argat i prokurorisë, sepse deklarata të tilla janë deklarata që e dëmtojnë drejtpërdrejt pozicionin e tyre. S’është befasuese as diçka e re, sepse kompleksi i Kurtit në raport me UÇK është diçka që e ka definu gjatë gjithë jetës së tij. Përndryshe si mund ta arsyetoni që kurrë në jetë s’ka shkuar as me i vizituar atje. Ndoshta Kurti po ashtu tmerrohet nga fakti që ne shumë shpejt presim që t’i kemi në mesin tonë çlirimtarët’’, ka thënë ai. /GazetaExpress