Edhe pas takimit te Presidentja, Kurti vazhdon njësoj, Dehari e hedh në votim komisionin për votim të fshehtë, dështojnë - Gazeta Express
string(117) "edhe-pas-takimit-te-presidentja-kurti-vazhdon-njesoj-dehari-e-hedh-ne-votim-komisionin-per-votim-te-fshehte-deshtojne"

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 11:29

Edhe pas takimit te Presidentja, Kurti vazhdon njësoj, Dehari e hedh në votim komisionin për votim të fshehtë, dështojnë

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 11:29

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të 41-tën herë me radhë që ta konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, hodhi sërish në votim komisionin për votim të fshehtë, i cili prapë dështoi të themelohet.

Nga 99 deputetë sa ishin prezentë 54 votuan pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

PDK, LDK, AAK dhe Nisma, si dhe Lista Serbe, që nga 1 maji po refuzojnë që të propozojnë anëtarë për këtë komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.

Përfaqësues të këtyre partive dolën në foltore, duke i kërkuar kryesuesit që të mos e shkelë Kushtetutën. Megjithatë, atyre iu ndal mikrofoni për shkak se nuk dhanë emra për anëtarë të komisionit.

Dështimi i radhës erdhi pas takimeve që mbajti dje dhe sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me krerët e partive me synimin që të dilet nga kriza institucionale.

Osmani tha se dje u ka bërë thirrje liderëve që “në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor” të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit.

Sidoqoftë, këto takime nuk dhanë rezultat sot.

Para seancës së sotme sërish pati protestë nga përfaqësues të shoqërisë civile me thirrjet për dalje nga ngërçi.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se organizatat e shoqërisë civile kërkojnë nga partitë politike që “të gjejnë një zgjidhje, që të bëjnë kompromis”.

Ai tha se shpresojnë që do të ketë reflektim dhe që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari “të mos vazhdojë me shkeljen e Kushtetutës”.

Më 26 qershor Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykim përmes së cilit obligoi deputetët e Kuvendit që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.

Lëvizja Vetëvendosje insiston se Kushtetuesja nuk e ka hedhur poshtë formën e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, ndërsa partitë tjera thonë se në aktgjykim thuhet qartë se kryeparlamentari duhet të zgjidhet sipas praktikave të deritanishme me votim të hapur./Express/