Përgjatë viteve, në Ballkan janë ndërtuar mure, janë vendosur gardhe, janë vizatuar kufij, por një rrezik i padukshëm ka kaluar lirshëm mbi to: sulmet kibernetike. Sot, në Podgoricë, nisi Konferenca Rajonale e Sigurisë Kibernetike “CyberPulse 2025”, një alarm zyrtar se tani nuk është vetëm çështje teknologjie, por çështje besimi, bashkëpunimi dhe mbijetese digjitale.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, nuk foli me gjuhën sterile të protokollit, por me shqetësimin e dikujt që sheh se rajoni është kthyer në fushë loje për hakerë ndërkombëtarë.
“Siguria kibernetike nuk është vetëm çështje kabllosh e serverësh. Është çështje besimi, njerëzish dhe partneritetesh. Nëse nuk bashkohemi, sulmet nuk do të pyesin nëse jemi pjesë e BE-së apo kemi akoma dilema për kufijtë,”– theksoi Kapetanović.
Shifrat janë po aq tronditëse sa retorika: në Ballkanin Perëndimor, sulmet kibernetike janë rritur me 40% në një vit. Ransomware,- fenomeni kur hakerët bllokojnë sistemet dhe kërkojnë para për t’i zhbllokuar është rritur me 200%, me kërkesa që shkojnë deri në 1 milion euro. Ndërkohë, mbi 85% e qytetarëve janë online, por vetëm në letër të sigurt.
Ironia? Rajoni prodhon më shumë të diplomuar në fushën e teknologjisë së informacionit se mesatarja e BE-së (7% kundrejt 4.5%), por përsëri vuan nga mungesa e profesionistëve të sigurisë kibernetike. Pra, kemi diploma, por jo “antivirusë njerëzorë”
Në konferencë, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Filip Ivanović, bëri thirrje për bashkërendim të kapaciteteve kombëtare me objektivat rajonale, ndërsa përfaqësuesi i Komisionit Europian, Michael Docherty, garantoi se BE-ja do të qëndrojë krah Ballkanit në këtë front të ri lufte.
Pjesë e aktivitetit ishte dhe drejtori i Qendrës Rajonale për Kapacitete Kibernetike, Gilles Schwoerer, që foli për rolin në rritje të kësaj qendre në trajnimin dhe forcimin e kapaciteteve rajonale.
Për ata që ende mendojnë se hakerët janë adoleshentë të mbyllur në bodrume, panelet e sotme u kujtuan se tani janë në lojë inteligjenca artificiale, teknologji të reja, strategji shumësektoriale dhe bashkëpunim ndërsektorial. Europol, ENISA, Women4Cyber dhe shumë ekspertë të tjerë ndanë praktikat më të mira për të ndalur një kërcënim që nuk pyet për flamuj apo kufij.
CyberPulse 2025, i organizuar nga RCC, Komisioni Europian dhe Qendra Rajonale për Kapacitete Kibernetike, nuk është thjesht një konferencë. Është një sinjal alarmi: në epokën ku armët janë kode, kufijtë janë virtualë dhe sulmet vijnë pa paralajmërim, mbijetesa varet nga bashkëpunimi. /skyweb.al