Aksion në zyrat e “Bankers Petroleum” në Fier, arrestohet CEO kinez dhe ish-drejtori Leonidha Çobo - Gazeta Express
string(95) "aksion-ne-zyrat-e-bankers-petroleum-ne-fier-arrestohet-ceo-kinez-dhe-ish-drejtori-leonidha-cobo"

Shqiperi

Gazeta Express

03/07/2025 8:47

Aksion në zyrat e “Bankers Petroleum” në Fier, arrestohet CEO kinez dhe ish-drejtori Leonidha Çobo

Shqiperi

Gazeta Express

03/07/2025 8:47

Një aksion i befasishëm është zhvilluar këtë të mërkurë në zyrat e kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier, ku janë ekzekutuar 10 urdhër-arreste për drejtues të lartë të kompanisë, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes të ndaluarve është edhe CEO aktual i kompanisë, shtetasi kinez Hongping Xiao, si dhe ish-drejtori Leonidha Çobo, që ka drejtuar Bankers përpara vitit 2016.

Operacioni është zhvilluar nga Policia e Fierit në bashkëpunim me njësitë tatimore, pas një hetimi disa mujor të Prokurorisë së Fierit për evazion fiskal dhe pastrim parash në shifra të konsiderueshme. Gjatë kontrollit, oficerët hasën në rezistencë fizike nga stafi i kompanisë dhe u detyruan të përdorin forcën për të hyrë në ambientet e brendshme, ku më pas u sekuestruan edhe serverët e të dhënave financiare.

Dyshohet se “Bankers” ka akumuluar një borxh të madh ndaj shtetit shqiptar dhe ka shmangur detyrime tatimore ndër vite. Po ashtu, kompania është ankuar nga dhjetëra biznese shqiptare për mosshlyerje pagesash, ndërsa ka qenë edhe nën akuzë për shkelje të parametrave mjedisorë dhe përdorim të teknikave të dëmshme për nëntokën.

“Bankers Petroleum” operon në burimin më të madh naftëmbajtës në vend, Patos-Marinzë, dhe është aktive në Shqipëri që nga viti 2004. Në 2016, kompania u ble nga gjigandi kinez GeoJade Petroleum për 407 milionë dollarë. Arrestimet e sotme pritet të shënojnë një nga hetimet më të mëdha ndaj një investitori të huaj në sektorin energjetik në Shqipëri.