Kryeministri Edi Rama ka dhënë një sërë mesazhesh të forta gjatë ditës së parë të Dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, në një takim me fermerët, ku njoftoi masa të menjëhershme dhe ndërhyrje të thella në disa sektorë kyç për ekonominë rurale dhe atë kombëtare.
“AKU-ja duhet të ndalohet me urgjencë të vazhdojë të veprojë, sepse më shumë sesa të miratojë, ajo po shkakton dëm”, deklaroi Rama.
Ai tha se do të ngrihet një komision i posaçëm për analizimin e burimeve njerëzore të AKU-së dhe për të ndjekur procesin e bashkimit të inspektoriateve sipas ligjit, nëpërmjet një seleksionimi të kujdesshëm ku do të përfshihet edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm që njoftoi Rama është ndërhyrja në sektorin e naftës. Ai bëri me dije se qeveria do të ndërmarrë hapa konkrete për të vendosur një çmim të ri për konsumatorët, duke garantuar një ekuilibër më të drejtë në treg.
“Qeveria do të jetë shumë aktive në krijimin e kushteve dhe skemave të bashkëpunimit me sipërmarrjen… dhe na duhet me patjetër të ndërtojmë një proces të ri ku qeveria do të jetë pjesë e forcave në sektorin e naftës”, tha ai.
Për aktorët e tregut të naftës, qeveria do të lehtësojë kushtet për importin dhe eksportin, duke synuar rritjen e eficiencës ekonomike në këtë sektor.
Rama gjithashtu u ndal te çështja e legalizimit të strukturave prodhuese në zonat rurale, duke vendosur një afat konkret për realizimin e procedurave brenda muajit gusht.
“Duhet t’ua përcjellim strukturave që brenda muajit gusht të përcjellin në agjencinë e Kadastrës të gjitha procedurat për legalizimet… Nuk besoj se fermerët duhet të presin më për të legalizuar strukturat e tyre prodhuese”, deklaroi ai.
Rama theksoi nevojën për formalizimin e tregut të produkteve bujqësore, duke paralajmëruar se shitja e produkteve të paformalizuara përbën rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.
“Duhet të njësojmë TVSH-në… Duhet të angazhojmë strukturat e tatimeve që të kryejnë një proces paraprak sensibilizimi, përpara se të hyjnë me sekuestro të qumështit të pafaturuar”, theksoi ai, duke nënvizuar se produktet pa faturë nuk mund të lejohen më në treg.