Në mbledhjen e sotme të qeverisë, ish-kandidatja e PS në qarkun e Vlorës në zgjedhjet e 11 majit, Ina Majko, është emëruar në postin e zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ndërkohë që është liruar nga kjo detyrë, Niko Hyka.
Kujtojmë që gjatë muajit prill në fushatën elektorale, kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me gratë dhe vajzat, veçoi kandidaten Ina Majko, ku tha se edhe nëse nuk do të zgjidhet deputete, do të jetë pjesë e qeverisë.
“Edhe unë jam shumë krenar që për herë të parë Partia Socialiste bëhet promotore e një kandidature nga komuniteti rom. Një vajzë nga Delvina, e shkëlqyer e cila përfaqëson gratë dhe vajzat e margjinalizuara, që jo vetëm mund të jetë një zë shumë i nevojshëm në Kuvendin e Shqipërisë por të jeni të sigurta që edhe nëse nuk do të jetë në Kuvendin e Shqipërisë, patjetër që do të jetë një zë në qeverisjen tonë të mandatit të ardhshëm”, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë muajit prill.