Nga Cërriku, ku mblodhi fermerë, ministra dhe kryebashkiakë për të diskutuar mbi sfidat e bujqësisë, kryeministri Edi Rama bëri thirrje për krijimin e një sipërmarrjeje rurale të fuqishme, ndërsa paralajmëroi një kthesë të nevojshme të pushtetit vendor drejt zhvillimit rural.
“Ky vend duhet të ketë sipërmarrje rurale të fuqishme. Duhet të kemi ambicien që tani t’i kushtojmë më tepër rëndësi agropërpunimit, rritjes së eksporteve të produkteve të përpunuara, por kjo kërkon sipërmarrje. Dhe kjo s’mund të jetë çështje fati apo thjesht dhe vetëm e dëshirës së disa individëve por një strukturë e tërë pune e përbashkët” u shpreh Rama.
Duke vënë theksin tek bashkitë, kryeministri kritikoi mënyrën se si pushteti vendor e ka parë fshatin pas reformës administrative:“Qysh se është bërë reforma administrative kryetarët e bashkive e shohin fshatin si çështje të urbanizmit, infrastrukturës rrugore, të pastrimit, të ndriçimit, por nuk e shohin si pjesë të punës së tyre të përditshme në funksion të zhvillimit. Jemi në një pikë, ku duhet patjetër të garantojmë një kthesë në këtë drejtim, pushteti vendor duhet të bëhet pararojë në këtë sipërmarrje. Të jetë pika e parë mbështetje për ata që duan të zgjerojnë sipërmarrjet apo të reja. Jo pushteti vendor të jetë siç ndodh shpeshherë, problemi kryesor për të marrë një vërtetim apo leje”, tha Rama.
Një ndër masat e reja, sipas tij, është vendosja në dispozicion e një linje kredie prej 250 milionë eurosh nga Banka e Shqipërisë, për të mbështetur projektet në fshat dhe për të shtyrë përpara ambiciet e fermerëve.
“Kemi vendosur në dispozicion të fermerëve dhe fshatit një linjë të re kredie nga Banka e Shqipërisë, 250 mln euro që është një shumë kolosale për t’iu përgjigjur ambicieve dhe për t’iu dhënë mbështetje projekteve në fshat, kjo e kombinuar me garancinë sovrane që është prej kohësh në dispozicion të fshatit”, u shpreh kryeministri.