Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sapo ka përfunduar takimin me presidenten Vjosa Osmani në Presidencë.
Ai pas përfundimit të këtij takimi tha se pozicioni i LDK-së është i njëjti dhe thotë se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë mënyrën e votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit derisa tha se përgjegjësia i takon të parit.
“E dini pozicionin tonë të LDK-së rreth çështjes aktuale të konstituimit të institucioneve. Ne kemi një aktgjykim që është i qartë për mënyrën e votimit dhe mbi të gjitha është i qartë sa i përket thelbit të problemit. E thelbi është që i takon partisë së parë, Grupit Parlamentar më të madh që të propozojë dhe njëkohësisht të krijojë shumicë parlamentare. Praktikat e deritanishme janë shumë të qarta”.
Ai tha se LDK nuk ka çështje të emrave sa i përket kryekuvendarit dhe se do të votojë kundër çdo propozimi të Vetëvendosjes.
Ndërkaq, për kryesuesin e seancës, Avni Dehari, tha se me veprim arbitrar dhe pa respektuar asnjë procedurë e vendosi që të kalojë në votim të fshehtë kundër Kushtetutës.
“Le të presim takime tjerë, ftojmë për konsensus dhe unitet.Duhet të kërkojmë shumicë politike siç ka qenë”.
Abdixhiku akuzoi Vetëvendosjen se po bën interpretim të interpretimeve për aktgjykimin e Kushtetueses.
“Takimet janë të mirëseardhura, përfshirja e presidentes është e mirëseardhur. Ajo fundja e fundit është garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve. Kosovës s’po i funksionon institucioni kryesor demokratik që është Kuvendi dhe më pas Qeveria. Kurti është duke qeveris me rezultat të para katër viteve. Pra, i ka pasë 50% para katër viteve, prandaj ka qenë kryeministër dhe tashmë s’i ka dhe meqenëse se nuk i ka nuk ka legjitimitet e besa as moral politik se si mund të mbash një detyrë kur s’e do populli”.