Opinion/ Kritikë për shtatoret: Kur heroizmi humb në formë dhe shpirt - Gazeta Express
string(67) "opinion-kritike-per-shtatoret-kur-heroizmi-humb-ne-forme-dhe-shpirt"

Arte

Gazeta Express

02/07/2025 16:08

Opinion/ Kritikë për shtatoret: Kur heroizmi humb në formë dhe shpirt

Arte

Gazeta Express

02/07/2025 16:08

Shtatorja nuk është vetëm një masë e ftohtë metali apo guri — është një formë përjetësimi. Kur ajo nuk flet, nuk ndihet dhe nuk frymëzon, ajo dështoi në misionin e saj.

Nga Burim Canolli

Në hapësirat tona publike po shfaqen gjithnjë e më shumë shtatore të figurave historike, kulturore dhe kombëtare. Qëllimi i tyre është i lavdërueshëm: të nderojmë ata që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Por, fatkeqësisht, shumë nga këto vepra po dështojnë të përçojnë madhështinë e këtyre personaliteteve, për shkak të realizimeve të dobëta artistike dhe mungesës së thellësisë psikologjike.

Problemi i parë që bie në sy është mungesa e karakterit. Shtatoret shpesh janë të shprehura në mënyrë të ftohtë, thuajse të pandjeshme. Nuk lexon dot në fytyrat e tyre asnjë emocion, vendosmëri, as mençuri apo peshë shpirtërore — elementë që do të duhej të përçonin personalitetin e figurës që përfaqësojnë. Mungesa e kësaj thellësie psikologjike e zhvesh skulpturën nga identiteti dhe e kthen në një objekt të zakonshëm prej bronzi apo guri, pa jetë.

Po aq shqetësuese janë edhe proporcionet anatomike. Disa shtatore duken si karikatura të vetvetes: koka tepër e madhe për trupin, duart në pozicione jo natyrore, qëndrime të çuditshme dhe jo të hijshme. Këto deformime nuk janë shprehje artistike, por mungesë profesionalizmi, që vjen nga nxitimi, mungesa e përkushtimit ose nga moskonsultimi me burime të sakta historike e vizuale.

Gjithashtu, shpesh vihet re një mospërputhje mes kontekstit historik dhe përfaqësimit vizual. Figura të njohura për thjeshtësi apo përkushtim intelektual shpesh paraqiten në poza teatrale ose heroike artificiale që nuk përputhen me karakterin e tyre real. Kjo krijon një shkëputje mes përfytyrimit që populli ka për këto figura dhe përfaqësimit që u bëhet në shtatore.

Është e nevojshme që autoritetet vendore dhe institucionet kulturore të tregojnë më shumë kujdes në përzgjedhjen e skulptorëve, në procesin e miratimit dhe vlerësimit të veprave përpara vendosjes së tyre në hapësira publike. Nuk mjafton vetëm që një figurë të nderohet me një shtatore; ajo duhet të përfaqësohet me dinjitet, me vërtetësi dhe me profesionalizëm.

Shtatorja nuk është vetëm një masë e ftohtë metali apo guri — është një formë përjetësimi. Kur ajo nuk flet, nuk ndihet dhe nuk frymëzon, ajo dështoi në misionin e saj.

/Burim Canolli  – Skulptor

/Gazeta Express