Krasniqi i reagon Kurtit për konstituimin e Kuvendit në "fund të korrikut": S'kemi pse presim, mund ta bëjmë qysh nesër - Gazeta Express
string(114) "krasniqi-i-reagon-kurtit-per-konstituimin-e-kuvendit-ne-fund-te-korrikut-skemi-pse-presim-mund-ta-bejme-qysh-neser"

Lajme

Gazeta Express

02/07/2025 15:36

Krasniqi i reagon Kurtit për konstituimin e Kuvendit në “fund të korrikut”: S’kemi pse presim, mund ta bëjmë qysh nesër

Lajme

Gazeta Express

02/07/2025 15:36

Kryetari i PDK-së tha se pati “qëndrime të qarta dhe propozime konkrete” në takimin me presidenten e vendit, ku u diskutua për situatën në Kuvend pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Memli Krasniqi shkroi në Facebook se shpreson se konsultimet “të sjellin reflektim, tejkalim të kryeneçësisë politike dhe rikthim te rregullorja, ligji dhe Kushtetuta”, ndërsa pati edhe një reagim ndaj kryetarit të LVV-së, Albin Kurti “në javën e fundit të korrikut duhet që ta kemi konstituimin” e Kuvendit.

“Në takimin e sotëm me Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, rikonfirmova gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të kontribuar në tejkalimin e bllokadës për konstituimin e Kuvendit – tashmë me një interpretim të qartë kushtetues mbi kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale të secilit akter”, shkroi ai.

“Si PDK, kemi paraqitur qëndrime të qarta dhe propozime konkrete për të rikthyer funksionalitetin institucional dhe respektin ndaj rendit demokratik. Bashkëpunimi dhe kompromisi mbeten parimet tona udhërrëfyese – të konfirmuara qartë edhe në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Krasniqi.

Për konstituimin e Kuvendit, Krasniqi se për këtë nuk ka pse të pritet fundit i muajit.

“Shpresojmë që këto konsultime të sjellin reflektim, tejkalim të kryeneçësisë politike dhe rikthim te rregullorja, ligji dhe Kushtetuta. Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, fuqiplota dhe legjitime. Nuk kemi pse të presim afatin kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit – mund dhe duhet ta bëjmë qysh nesër, në mënyrën e duhur”, tha ai.

Përndryshe, ai paralajmëroi se mund t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese, si “adresa për të konfirmuar pengmarrjen institucionale të shtetit”.

Paraprakisht në Presidencë për takim me Osmanin ishte kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili më pas tha se do të bëjnë “çmos që në frymën e bashkëpunimit, me idenë e konsensusit apo kompromisit” ta arrijnë konstituimin e Kuvendit.

Situatën me ngërçin politik në Kuvend nuk e ka ndryshuar një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i shpallur të enjten pasdite, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.

Presidentja Vjosa Osmani po zhvillon takime me udhëheqësit e partive politike për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit. Ajo “pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, ka thënë këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.