Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania po përgatiten të nënshkruajnë një traktat të gjerë që përfshin një klauzolë ndihme të ndërsjellë në rast kërcënimi ndaj njërës nga vendet, sipas pesë burimeve të njohura me procesin, raporton Politico, transmeton Express.
Bazat për këtë marrëveshje janë hedhur që nga vera e kaluar me një deklaratë të përbashkët të kryeministrit britanik Keir Starmer dhe ish-kancelarit gjerman Olaf Scholz, ndërsa dy zyrtarë nga Londra kanë thënë se teksti për traktatin është pothuajse i përfunduar.
Raportohet se nënshkrimi për marrëveshje pritet të beht më 17 korrik, para se parlamentet të hyjnë në pushimin veror.
Në detaje tjera, thuhet se kapitujt kyç të traktatit përfshijnë një pjesë të posaçme për mbrojtjen, e cila ndërtohet mbi Marrëveshjen Trinity House të nënshkruar vitin e kaluar, ku përcaktohet se çdo kërcënim strategjik ndaj njërës palë do të konsiderohet kërcënim edhe për tjetrën.
Politico shkruan, një gjë e tillë do t’i siguronte Gjermanisë një klauzolë ndihme të ndërsjellë me të dy fuqitë bërthamore të Europës, në përputhje me dëshirën e kancelarit gjerman Friedrich Merz për të forcuar aftësitë e kontinentit, në mënyrë të pavarur nga Shtetet e Bashkuara.