Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha se shpreson të gjendet një rrugëdalje nga ngërçi politik, pasi përfundoi takimin me presidenten Vjosa Osmani.
Memli Krasniq tha se PDK-ja e ka “lëndën gati” për “shkeljet kushtetuese të cilat janë bërë në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme në dy seancat e kaluara” nga LVV-ja, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai nuk deshi të fliste nëse Osmani do t’i drejtohej Kushtetueses për një interepretim.
“Edhe në këtë takim e rikonfirmova qëndrimin dhe gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për ta luajtur rolin tonë për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike, sidomos tani që kemi edhe qartësi nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i cili i ka bërë të qarta rolet e secilit, në radhë të parë koalicionit që ka dalë i pari në zgjedhje, të cilin e ka detyruar, përveç tjerash, edhe për gjetjen e konsensusit apo kompromisit. Unë shpresoj që edhe këto konsulta të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes, por mbetet që takimet e tjera, të cilat i ka planifikuar presidentja të na qartësojnë a ka spo s’ka një ndryshim të kryeneçësisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe zotit Kurti që po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, tha Krasniqi.
Ai tha se “aktgjykimi e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e mënyrës së votimit në mes të procesit, sepse e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e rendit të ditës”.
“Të kthehemi te pika e rendit të ditës siç ka qenë, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, të votohet sipas praktikave të deritashme, siç ka thënë Gjykata Kushtetuese, në mënyrë të hapur dhe të sillet një propozim i një kandidati/kandidateje i cili mund ta marrë shumicën e nevojshme për ta konstituuar Kuvendin”, tha Krasniqi.
Paraprakisht, në Presidencë për takim me Osmanin ishte kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili më pas tha se do të bëjnë “çmos që në frymën e bashkëpunimit, me idenë e konsensusit apo kompromisit” ta arrijnë konstituimin e Kuvendit.
Situatën me ngërçin politik në Kuvend nuk e ka ndryshuar një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i shpallur të enjten pasdite, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.
Presidentja Vjosa Osmani po zhvillon takime me udhëheqësit e partive politike për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit. Ajo “pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, ka thënë këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.