Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mbështetur vendimin e presidentes së Bundestagut për të mos valëvitur flamurin e krenarisë – simbol i komunitetit LGBTQI+ – në ndërtesën e Reichstagut në Berlin gjatë festimeve të Javës së Krenarisë, raporton Deutche Welle, transmeton Express.
Kujtojmë se disa ditë më parë, Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner nga Unioni Kristian Demokrat (CDU) konservator, njoftoi se flamuri i krenarisë nuk do të valëvitet në ndërtesën e parlamentit, Reichstag, më 26 korrik, në Ditën e Christopher Street, siç ishte bërë në vitet e kaluara. Bëhet e ditur se, Klöckner gjithashtu ka marrë vendim që anëtarët LGBTQ+ të administratës së Bundestagut të mos marrin pjesë në paradë në kapacitet zyrtar.
Ndërkohë, i pyetur për vendimin, Merz ka thënë për transmetuesin publik gjerman ARD se “Bundestagu nuk është një tendë cirku” ku mund të valviten flamuj sipas dëshirës.
“Në të gjitha ditët e tjera, në Bundestagun gjerman valëvitet flamuri gjerman dhe ai evropian, dhe asnjë tjetër. Dhe ky vendim është i duhur,” ka thënë Merz.
Ai tutje ka shtuar se: “Çdokush mund të valëvitë flamurin që dëshiron në derën e vet. Por ne po flasim për parlamentin gjerman këtu, dhe në parlamentin gjerman nuk valëviten flamuj çdo ditë, përveç flamurit kombëtar gjerman dhe atij evropian.
Ndërkohë, raportohet se vendimi për të mos ngritur flamurin në parlament është kritikuar nga partitë opozitare, përfshirë ekologjistët e Partisë Gjelbër dhe nga Partia Socialiste.