Ish-deputeti serb Dordje Miketiç ka ngritur alarmin për një përshkallëzim serioz të represionit në Serbi, ndërsa vendi po përjeton një valë të re protestash që janë përhapur në më shumë se 70 lokalitete në të gjithë territorin.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Euroneës Albania, Miketiç deklaroi se “Serbia ka hyrë në një fazë të hapur represioni”, duke theksuar se reagimi qytetar është bërë më i fuqishëm pas protestës së qershorit dhe se tani, çdo ditë, protestat po bëhen më masive.
Sipas tij, qytetarët dhe sidomos studentët, janë të vendosur të mos tërhiqen. “Njerëzit janë të lodhur. Ky është një shpërthim i pakënaqësisë që është akumuluar për vite me radhë. E vetmja mënyrë për të reaguar është të dalin në rrugë – dhe kjo po ndodh në mbi 70 lokalitete, përfshirë 8 deri në 10 zona të Beogradit, ku bllokimet janë të përditshme”, u shpreh Miketiç.