Ekonomia ruse në prag të regresit, por ai nuk pritet ta ngadalësojë luftën - Gazeta Express
string(73) "ekonomia-ruse-ne-prag-te-regresit-por-ai-nuk-pritet-ta-ngadalesoje-luften"

Lajme

Gazeta Express

02/07/2025 14:10

Ekonomia ruse në prag të regresit, por ai nuk pritet ta ngadalësojë luftën

Lajme

Gazeta Express

02/07/2025 14:10

Në ngjarjen e madhe vjetore të Rusisë për investime në biznes, një festë e financuar nga Kremlini plot zotime dhe mundësi, ministri kryesor i Ekonomisë hodhi një “luftë të ftohtë” mbi festën.

“Sipas shifrave, po, tani kemi një ngadalësim të ekonomisë”, tha Maksim Reshetnikov në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut.

“Bazuar në ndjenjën e tanishme biznesore, më duket se jemi në prag të kalimit në recesion”, shtoi ai.

Sikur kjo të mos mjaftonte për të zbehur atmosferën, edhe drejtuesja e Bankës Qendrore të Rusisë ndau të njëjtin qëndrim pesimist.

“Kemi dy vjet që po rritemi me një ritëm mjaft të lartë për shkak të përdorimit të burimeve të lira të fuqisë punëtore”, tha Elvira Nabiullina gjatë të njëjtit diskutim më 19 qershor. “Por, duhet të kuptojmë se shumë nga këto burime janë realisht të shterura. Duhet të mendojmë për një model të ri rritjeje”.

Gjithashtu, nga korridoret e forumit, u dëgjua edhe kjo deklaratë nga German Gref, drejtuesi i gjigantit shtetëror bankar Sberbank: “Po përballemi me një numër të madh problemesh, të cilat sot mund t’i quajmë stuhi e përsosur”.

Për më shumë se 40 muaj, që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës, ekonomia e Rusisë ka qenë në në gatishmëri të lartë, duke u rritur me ritme të larta – ndonjëherë të vrullshme – dhe duke treguar qëndrueshmëri. Kjo ishte e papritur për shumë ekspertë perëndimorë, për shkak se përballet sanksioneve ndëshkuese.

Kremlini ka riorganizuar ekonominë për t’i fuqizuar përpjekjet e luftës, duke derdhur para në industrinë e mbrojtjes për të prodhuar armë, tanke, dronë dhe uniforma. Janë derdhur para edhe për pagat, si për punëtorët e industrisë së mbrojtjes ashtu edhe për ushtarët, me rroga dhe përfitime shumë të larta për t’i joshur që të luftojnë në Ukrainë.

Kjo e ka transformuar ekonomitë lokale në shumë rajone të varfra dhe të largëta të vendit, dhe gjithashtu ka blerë mbështetje për luftën.

Por, pagat e larta kanë nxitur inflacionin, dhe Nabiullina e rriti normën bazë të interesit në 21 për qind në tetor për ta frenuar atë. Pavarësisht ankesave publike nga lobet industriale të vendit, ajo ka qëndruar e palëkundur, e përkushtuar për ta ngadalësuar inflacionin dhe për të frenuar ekonominë.

Kjo po funksionon, dhe tani Rusia po përballet me ngadalësimin më të madh ekonomik që nga fillimi i luftës së plotë.

“Mendoj se shumë tregues flasin për ndalimin e rritjes, ose afërsisht kështu”, tha Iikka Korhonen, drejtues i hulumtimeve në Institutin për Ekonomitë në Zhvillim të Bankës së Finlandës. “Industria përpunuese ende po rritet, por shumica e sektorëve të tjerë jo”.

“Për dy vjet me radhë ekonomia ruse po rritej shumë mbi ritmin e saj normal”, tha Alexander Kolyandr, ekspert ekonomik në Qendrën për Analizë të Politikave Evropiane në Uashington.

“Ajo që po ndodh tani është rikthimi i ekonomisë aty ku duhet të jetë. Për momentin, ky është një korrigjim, një kthim drejt ritmit afatgjatë të rritjes”, sipas tij.

“Sfida kryesore për Qeverinë në këtë pikë është ta bëjë këtë një ‘ulje të butë’, jo një kolaps të plotë”, shtoi ai.

Çfarë ndodh tutje?

Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i Rusisë u rrit për 1.4 për qind në tre muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas statistikave qeveritare. Por, në gjysmën e dytë të 2024-s, ekonomia po ecte fuqishëm: rreth 4.4 për qind.

Parashikimet zyrtare tani tregojnë për një rritje të PBB-së prej rreth 2 për qind në vitin 2025. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rritje edhe më të ulët: 1.5 për qind.

Shkalla e papunësisë qëndron në një minimum historik prej rreth 2.3 për qind, gjë që tregon se sa i shtrembëruar është bërë tregu i punës, ndërsa burrat largohen nga punët civile për të luftuar në Ukrainë.

Përballë inflacionit mbi 10 për qind në gjysmën e parë të vitit 2025, Nabiullina ka paralajmëruar vazhdimisht për një “ekonomi të mbinxehur”. Në fillim të qershorit, ajo ndërmori një ulje të vogël të normës bazë në 20 për qind, që ekspertët e cilësuan më shumë simbolike.

Por, ndikimi i normës së lartë të interesit po shfaqet në statistikat zyrtare, sipas të dhënave dhe parashikimeve nga Qendra për Analiza Makroekonomike dhe Parashikime Afatshkurtra, një institut kërkimor i lidhur me Qeverinë.

Për disa në Kremlin, një “ulje e butë” do të ishte një korrigjim i mirëpritur pas dy vjetëve të vrullshme. Rreziku qëndron nëse ajo shndërrohet në një “ulje të fortë”.

“Duke mbajtur normën bazë shumë të lartë, pavarësisht se shteti po investon vazhdimisht para në ekonomi, ata kanë arritur të ngadalësojnë ekonominë”, tha Maria Snegovaya, analiste në programin për Rusinë pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

“Është e paqartë sa i qëndrueshëm është ky realitet për Kremlinin nëse ekonomia fillon të tkurret. Nuk është diçka që ata e dëshirojnë”, tha ajo gjatë një seminari online më 17 qershor. “Në përgjithësi, ekipi makroekonomik rus duket mjaft i shqetësuar”.

Çfarë nënkupton kjo politikisht?

Deri më tani, presidenti Vladimir Putin i ka dhënë mbështetjen e tij Nabiullinës dhe zyrtarëve të tjerë të lartë ekonomikë për mënyrën e menaxhimit të ekonomisë.

Një ditë pas diskutimit në panel në forumin e Shën Petersburgut, Putin u shpreh vetë me një ton paralajmërues në një fjalim gjatë forumit të biznesit: “Disa specialistë, ekspertë, tregojnë për rrezikun e ngecjes dhe madje recesionit”, tha ai. “Sigurisht, kjo nuk duhet të lejohet në asnjë rrethanë”.

“Detyra jonë më e rëndësishme këtë vit është ta kalojmë ekonominë në një rritje të balancuar”, shtoi ai.

Meqë sanksionet kanë ngufatur pjesë të tjera të ekonomisë, buxheti i Kremlinit po bëhet gjithnjë e më i varur nga të ardhurat e naftës dhe gazit. Por, çmimet e naftës kanë rënë që nga fillimi i vitit, dhe Ministria e Financave ka ulur parashikimet për të ardhurat nga nafta për vitin 2025.

“Për sa kohë që nuk ka rënie të ndjeshme të çmimeve të naftës, ose përforcim të madh të zbatimit të sanksioneve, dhe rënie të prodhimit civil, atëherë mendoj se do të kemi ‘ulje të butë’”, tha Kolyandr.

Rritja e balancuar – ose më e ngadaltë – do të ketë ndikim në të gjithë ekonominë, duke frenuar rritjen e pagave. Ajo gjithashtu do të godasë buxhetet familjare, ku rusët janë mësuar me kuleta më të mbushura, gjë që mund të nxisë pakënaqësi.

Një numër në rritje kompanish dhe fabrikash po vonojnë pagesat e pagave për punonjësit, sipas gazetës Nezavisimaya Gazeta. Gjithashtu, gjithnjë e më shumë rajone kanë filluar të shkurtojnë shpërblimet për rekrutët vullnetarë – një trend që reflekton përkeqësimin e kushteve ekonomike në nivel lokal.

Megjithatë, Putin duket i vendosur të vazhdojë luftën – edhe përballë një numri tronditës viktimash që po i afrohet shifrës së 1 milion burra të vrarë ose të plagosur.

Qeveria synon t’i shpenzojë rreth 13.1 trilion rubla (rreth 144 miliardë dollarë) për mbrojtje dhe siguri në vitin 2025. Kjo përbën 6.3 për qind të PBB-së – një nga nivelet më të larta që nga epoka sovjetike.

“Fatkeqësisht, po, kjo luftë nuk do të ndalet për arsye ekonomike, dhe Rusia mund të vazhdojë të prodhojë armatime në nivelin aktual për një kohë të gjatë”, tha Korhonen.

“Faktori i vetëm ekonomik që mund ta pengojë realisht përpjekjen e Rusisë për luftë është çmimi i naftës”, përfundoi ai. /REL