Lamine Yamal ka qenë sot pjesë e ekipit të Barcelonës në prezantimin e fanellave të reja për sezonin 2025/26.
E 17 vjeçari, i cili shumë shpejt pritet ta marrë numrin 10 në fanellë, të cilën e kanë mbajtur më herët legjendarët Lionel Messi, Diego Armando Maradona e Ronaldinho, gjatë ceremonisë së prezantimit të fanellave të reja ka dhënë fjalë të mëdha.
Ai i ka paralajmëruar kundërshtarët përmes një deklarate të shkurtër, por të fuqishme, shkruan “Gazeta Express”.
“Pas pesë vjetësh do të jem 22 vjeç… Bëhuni gati, Barça dhe krejt bota. Do të jetë një situatë e pakontrollueshme!”, u shpreh ylli i Kombëtares së Spanjës në Euro 2024.
Yamal e kaloi një sezon të jashtëzakonshëm dhe është njëri prej kandidatëve kryesorë për ta fituar Topin e Artë 2025.
Duke e pasur parasysh moshën e tij të re, shumëkush pret që ai të hyjë në mesin e legjendave të futbollit me karrierën që e ka përpara. /Gazeta Express