Dy persona që mbetën të lënduar nga aksidenti tragjik që ndodhi në fshatin Treboviq të Pejës në orët e para të mëngjesit janë ende në gjendje të rëndë dhe janë duke vazhduar trajtimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Nga ky aksident humbi jetën një i mitur.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur për KosovaPress se të lënduarit janë pranuar në emergjencë rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe po trajtohen në kujdesin intensiv.
“Janë në trajtim ende në emergjencë, janë kryer ekzaminimet dhe konsultat. Trajtimi i tyre vazhdon mjekimin intensiv qendror, por, gjendja është shumë e rëndë për fat të keq…Rreth orës 03:00 të mëngjesit (janë pranuar në emergjencë)”, ka thënë Syla.
Një person i mitur ka vdekur, ndërkaq dy të tjerë janë lënduar në një aksident që ka ndodhur në orët e para të së mërkurës, në Treboviq të Pejës.
“Deri te ky vetaksident dyshohet se ka ardhur, deri sa automjeti ishte duke qarkulluar nё rrugën Pejё-Trestenik, me tё arritur nё fshatin Treboviq-Pejё, duke mos ju përshtatur kushteve tё rrugёs dhe shpejtёsisё, humb kontrollim mbi automjet dhe godet njё shtyllё tё betonit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, “si pasojё e kёtij vetaksidenti njё person ka ndёrruar jetё nё vendin e ngjarjes, vdekjen e sё cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndёsa dy tё lënduarit tjerё janё dёrguar mё autoambulancё nё spitalin rajonal nё Pejё, e mё pas pёr shkak tё natyrёs sё lëndimeve janё dёrguar nё QKUK-Prishtinё, viktima dhe tё lënduarit janё persona tё mitur”.
Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion. Rasti vazhdon tё hetohet./KosovaPress.