Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës dhe njëherësh Kryetar i Bordit Menaxhues të Forumit Investiv të 6 Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), Lulzim Rafuna, mori pjesë në Samitin për Planin e Rritjes, me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian.
Në fjalën e tij, Kryetari Rafuna theksoi se sektori privat duhet të jetë partner qendror në zbatimin e Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ai prezantoi propozime konkrete për të përshpejtuar reformat, për të përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe për të shfrytëzuar tërësisht potencialin e Tregut të Përbashkët Rajonal, thotë OEK në një komunikatë.
“Integrimi rajonal nuk është devijim nga rruga drejt BE-së, përkundrazi është shtegu më i shpejtë”, theksoi Rafuna, sipas OEK, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet qeverive, odave ekonomike dhe komunitetit të biznesit.
Samiti i mbajtur në Shkup rikonfirmoi përkushtimin e rajonit ndaj reformave, lidhjes ndër-rajonale dhe veprimit të përbashkët, prioritete që përkrahen vazhdimisht nga WB6 CIF dhe Oda Ekonomike e Kosovës.