Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri në territorin e vendit, ndërsa dy prej tyre mbeten ende aktive në bashkitë Elbasan dhe Finiq. Situata më problematike paraqitet në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan, ku flakët vazhdojnë të jenë të pakontrolluara pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe Forcave të Armatosura.
Në Finiq, vatra e zjarrit në fshatin Grazhdan është përhapur edhe në zonën me pisha të Malçanit, duke vështirësuar ndërhyrjen për shkak të terrenit të thyer malor. Në operacion janë angazhuar mjete zjarrfikëse, mjete të rënda dhe helikopterë.
Instituti i Gjeoshkencave ka shpallur alarm për rrezik të lartë zjarresh në 7 qarqe: Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ku pritet që temperaturat të shkojnë deri në 40°C. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal nga qytetarët dhe shmangie të çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarr. Çdo rast zjarri duhet të raportohen menjëherë tek autoritetet përkatëse.