Ardon Jashari po i luan të gjitha kartat për Milanin.
Ylli shqiptar është i vendosur të transferohet veç tek gjiganti italian nëse i ndodh largimi nga Club Brugge gjatë kësaj vere.
“Rossoneri” e kanë avancuar ofertën e tyre mbrëmë duke i ofruar 38 milionë euro, të përfshira këtu edhe bonuset, ndërsa tash topi është tek klubi belg, i cili e mban kartonin e futbollistit.
Përkundër faktit se ka oferta dhe interesim edhe nga klubet tjera të njohura evropiane si Borussia Dortmund, Manchester United, Manchester City, Paris Saint-Germain dhe Bayer Leverkusen, përfaqësueis zviceran s’i sheh këto si opsione të tij pasi në mendjen e tij është vetëm shtatë herë kampioni i Evropës, shkruajnë mediat italiane, përcjell “Gazeta Express”.
Milani i ka ofruar atij kontratë 5 vjeçare me rrogë prej 2,8 milionë eurosh neto.
Ai e ka pranuar këtë ofertë, por tash mbetet të bindet edhe klubi i tij, i cili thuhet se i kërkon 40 e më shumë milionë euro.
E duke e pasur parasysh se Kuqezinjtë së fundmi iu afruan kësaj kërkese, ka shenja pozitive dhe gjasa që belgët ta pranojnë ofertën e propozuar nga drejtori sportiv, Igli Tare.
22 vjeçari mbetet një prioritet absolut i trajnerit Massimiliano Allegri, i cili e sheh atë duke e formuar mesfushën së bashku me dy përforcimet tjera, Luka Modric dhe Samuele Ricci.
Gjithashtu, objektiv i Milanit mbetet edhe shqiptari tjetër i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, i cili po ashtu e ka dhënë dritën jeshile për të përfunduar në San Siro, por që Bayer Leverkuseni nuk është i vendosur ende për ta lëshuar kapitenin që të largohet. /Gazeta Express