Prokurorët amerikanë kanë ngritur akuza ndaj dy shtetasve kinezë, të cilët dyshohet se kanë vepruar si agjentë të shërbimit të sigurisë kineze, duke mbledhur informacione për bazat e Marinës amerikane dhe duke u përpjekur të identifikojnë ushtarë amerikanë të gatshëm për të spiunuar për llogari të Pekinit, ka njoftuar Departamenti i Drejtësisë.
Sipas Reuters, Departamenti i Drejtësisë ka njoftuar se të dyshuarit kanë organizuar një “pagesë përmes një vendi të fshehtë” në vlerë prej të paktën 10 mijë dollarësh, të vendosur në një dollap në një qendër rekreative në Kaliforninë Veriore në vitin 2022, në këmbim të informacioneve të ndjeshme të sigurisë kombëtare të SHBA-së që tashmë i ishin kaluar inteligjencës kineze.
Sipas njoftimit zyrtar të arrestuar janë Yuance Chen, 38 vjeç, banues i përhershëm ligjor në Happy Valley të Oregonit, dhe Liren “Ryan” Lai, 39 vjeç, i cili kishte mbërritur në Houston nga Kina në prill me vizë turistike.
Raportohet se të dy kanë punuar në shërbim të Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës. Lidhur me çështjen, ministria e Jashtme kineze ka deklaruar se nuk është në dijeni të detajeve, por se do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat legjitime të qytetarëve të saj.
“Ne gjithmonë kemi kundërshtuar ngritjen e panikut rreth të ashtuquajturve spiunë kinezë,” ka thënë zëdhënësja e ministrisë, Mao Ning, gjatë një konference për shtyp të mërkurën.
Ndërkohë, drejtori i FBI-së, Kash Patel në një deklaratë zyrtare ka thënë se: “Partia Komuniste Kineze mendoi se po ia dilte me planin e saj për të vepruar në tokën amerikane, duke përdorur teknika të spiunazhit si vendet sekrete të pagesave për të shpërblyer burimet e saj.”