Po përhapen pamjet e një fenomeni të rrallë në Portugali: “Tsunami” prej reje i befason pushuesit - Gazeta Express
string(94) "po-perhapen-pamjet-e-nje-fenomeni-te-rralle-ne-portugali-tsunami-prej-reje-i-befason-pushuesit"

Lajme

Gazeta Express

02/07/2025 9:46

Po përhapen pamjet e një fenomeni të rrallë në Portugali: “Tsunami” prej reje i befason pushuesit

Lajme

Gazeta Express

02/07/2025 9:46

Portugalia është përfshirë nga një valë e të nxehtit që ka kapluar pjesën më të madhe të Europës Perëndimore, ndërsa temperaturat në disa pjesë të gadishullit Iberik, si edhe në Greqi e Francë, kanë arritur deri në 42 gradë Celsius. Nxehtësia në Portugali ka shkaktuar një sërë dukurish të paqëndrueshme atmosferike, përfshirë rrebeshe të papritura shiu, stuhi të forta me bubullima dhe breshër. Këto dukuri kanë qenë më të theksuara në pjesën e brendshme të vendit.

Të dielën, qindra pushues u befasuan nga një re e dendur që dukej si një tsunami, e cila po afrohej drejt bregdetit. Ky fenomen, i njohur si “re rrotulluese”, përfshiu disa plazhe përgjatë bregdetit portugez në orët e pasdites. Pamjet e këtij spektakli u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.

Reja rrotulluese është një dukuri e rrallë meteorologjike që formohet si pasojë e ndërveprimit mes masave ajrore me ndryshime të mëdha temperaturash dhe erërave detare. Këto re lëvizin horizontalisht dhe, për shkak të ngjashmërisë me një dallgë gjigante, quhen edhe “re tsunami”.

Ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten gjatë javës, është shtuar shqetësimi për mundësinë e shpërthimit të zjarreve të mëdha pyjore. Drejtoria Kombëtare për Mbrojtjen Civile ka lëshuar një paralajmërim për popullatën, duke u bërë thirrje për masa parandaluese dhe sjellje të kujdesshme. Në njoftim thuhet se rreziku nga zjarret në zonat rurale është shumë i lartë në pjesën e brendshme të veriut dhe qendrës së vendit, si dhe në Algarve.