Zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS) në Vozhdovac të Beogradit janë “zbukuruar” mbrëmë me një dekorim krejt të pazakontë – me pleh të freskët. Një grup qytetarësh të revoltuar kanë sjellë disa kova me pleh dhe ua kanë lënë përpara zyrave të partisë, në rrugën Vojvode Stepe. Nuk mungonin as mbishkrimet, që i jepnin një “aromë” të plotë revoltës popullore.
Pamjet e publikuara nga lexuesit e Nova.rs tregojnë qartë se kjo nuk ishte një aksion i rastësishëm. Jo vetëm që plehu ishte i shpërndarë me kujdes përpara hyrjes së ndërtesës, por edhe muret e zyrës ishin të mbuluar me slogane dhe mbishkrime që dukshëm nuk ishin komplimente për qeverinë.
Ky veprim vjen një ditë pasi zyrat e SNS në Novi Sad u ballafaquan me një tjetër “aksion higjienik” nga qytetarët. Pas vendimit të çuditshëm të ndërmarrjes komunale Cistoca për të hequr kontejnerët e mbeturinave (gjoja për arsye higjienike), banorët vendosën t’i sillnin mbeturinat aty ku mendonin se u përkisnin – pikërisht para zyrave të partisë në pushtet. Një mënyrë origjinale për t’ia rikujtuar SNS-së se papastërtitë nuk fshihen duke zhdukur kontejnerët, por duke pastruar politikën.
Ndërkohë, protestat dhe bllokadat në Serbi vazhdojnë. Studentë dhe qytetarë në Beograd, Novi Sad, Nish dhe qytete të tjera po dalin çdo ditë në rrugë, duke kërkuar llogaridhënie dhe fundin e regjimit autoritar të Aleksandar Vuçiqit. Me pankarta, fishkëllima, dhe – siç duket tani – edhe me pleh, qytetarët po e bëjnë të qartë se durimit po i vjen fundi.