Prej pasdites së djeshme, një zjarr i madh ka përfshirë landfillin pranë inceneratorit të Elbasanit, duke krijuar një situatë shqetësuese për banorët dhe autoritetet lokale. Flakët shpërthyen rreth orës 16:30 dhe, pavarësisht përpjekjeve intensive për shuarjen e tyre, zjarri vijon ende të jetë aktiv në thellësinë e masës së mbetjeve.
Shtëllunga të dendura tymi, të konsideruara toksike, janë përhapur në ajër, duke mbuluar jo vetëm zonën përreth, por edhe qytetin, ndërsa erërat e dobëta kanë bërë që ndotja të qëndrojë e përqendruar mbi Elbasan për orë të tëra.
Ky është rasti i dytë brenda këtij sezoni veror që landfilli i Elbasanit përfshihet nga flakët, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë dhe menaxhimin e mbetjeve në këtë vendgrumbullim. Po dje, një tjetër vatër zjarri u regjistrua në një zonë me ullishte në afërsi të qytetit, ku ndërhyrja me helikopter ishte e domosdoshme për neutralizimin e flakëve.