Universiteti i Prishtinës ka hapur konkursin për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve në nivelin bachelor dhe master për vitin akademik 2025/2026.
UP pritet t’i pranojë 5,723 studentë të rregullt në nivelin bachelor. Kurse 2,394 studentë në nivelin master, prej të cilëve 9 studentë ndërkombëtarë.
Të dy konkurset për pranimin e studentëve janë hapur për 14 njësitë akademike të UP-së.
Sipas njoftimit të UP-së, programet e studimit të ofruara nga ky universitet mbulojnë fusha të ndryshme studimi dhe janë të ndërtuara për të përgatitur studentët për sfidat e tregut të punës, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi të nevojshme për zhvillim profesional dhe personal.
“Universiteti i Prishtinës synon të krijojë një ambient të favorshëm akademik, ku studentët mund të rriten në aspektin intelektual dhe të arrijnë objektivat e tyre në karrierë. Ftoheni të aplikoni dhe të bëheni pjesë e një universiteti me histori, traditë dhe përkushtim ndaj cilësisë në arsim.” – thuhet në njoftimin e UP-së.
Aplikimi për studentët në studimet e nivelit bachelor në platformën online https://apliko.uni-pr.edu/ do të jetë i hapur nga data 30.06.2025 deri më 08.07.2025, kurse për studentët në studimet e nivelit master do të jetë i hapur më 30.06.2025 deri më 11.07.2025.
Të dhënat për konkursin për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve në nivelin bachelor mund t’i gjeni në këtë link, kurse për konkursin për pranimin e studentëve në nivelin master në këtë link.