Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, ka njoftuar se kallëzimi penal ndaj Mentor Llugaliut është hedhur poshtë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Kusari kishte dorëzuar kallëzim penal për ngacmim “të obsesionuar online trevjeçar” , duke thënë se këto ngacmime online i ka bërë në shenjë hakmarrjeje për aktivizmin e saj në monitorimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të RTK-së ku, sipas Kusarit, Llugaliu ka dështuar të bëhet anëtar.
“Sapo u njoftova nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që kallëzimi penal ndaj mbështetësit të VV-së dhe të dyshuarin Mentor Llugaliu është hedhur poshtë. Në deklaratën e tij pranë organeve të ndjekjes, Llugaliu ka deklaru që në 101 postimet ku e përmend ‘Mickojen’ nuk e ka pasur fjalën për mua dhe se ka bërë humor”, ka shkruar Kusari.
Kusari tha se Prokuroria Themelore e Prishtinës ka gjetur që nuk ka ngacmim, ndër të tjera sepse:
“1. Llugaliu nuk më ka kontaktuar direkt (nuk më ka ngacmuar me kontakt direkt)
2. 101 postimet e Llugaliut janë kritikë për çështje profesionale ndaj meje dhe nuk janë kërcënim fizik apo frikësim i qëllimshëm
3. Statusat janë fyerje dhe shpifje dhe duhet të ndjeket peocedurë civile”.
Kusari tha se kam hezituar të ushtrojë kallëzim penal sepse “vepra penale e ngacmimit është e re”, ndërsa paralajmëroi ankesë në Prokurori të Apelit.
“Hezitimin e kam pasë të bazuar. Kam të drejtë të bëj ankesë në Prokurorinë e Apelit”, tha Kusari.
13 organizata, pjesë e Media Freedom Rapid Response dhe të Platformës së Këshillit të Europës për Sigurinë e Gazetarëve, kishin shprehur ‘mbështetjen e plotë’ për Flutura Kusarin, në prag të fillimit të procedurave penale kundër Mentor Llugaliut./Express/