Në Shkup të Maqedonisë së Veriut po zhvillohet sot një samit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian, që i dedikohet Planit të Rritjes së BE-së për rajonin.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi progresin e bërë dhe theksoi rëndësinë e këtij momenti historik për procesin e zgjerimit. “Për herë të parë në historinë e Evropës, nëse e bëjmë siç duhet procesin e zgjerimit mund të arrijmë bashkimin e Evropës tonë dhe një Evropë nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Dua të jem shumë e qartë: Sot ekziston një konsensus i qartë në favor të zgjerimit – kjo nuk ka qenë kështu në të kaluarën, por dritarja e kësaj mundësie nuk mund të jetë aty përgjithmonë. Jemi dëshmitarë të një progresi të dukshëm”, tha Kos.
Ajo veçoi gjithashtu përparimin e Shqipërisë, duke përgëzuar vendin për ecurinë e deritanishme. “Shqipëria, i dashur kryeministër Edi Rama, ka hapur tre grup-kapitujt gjatë gjashtë muajve të fundit. Faleminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, do të mund t’i hapim të gjithë grup-kapitujt këtë vit. Dhe mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grup-kapitullit të fundit në vjeshtë”, u shpreh Komisionerja.