“Përplasjet” mes Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kanë reflektuar fuqishëm edhe në skenën politike të Maqedonisë së Veriut. Mbështetja e hapur e Kurtit për koalicionin VLEN, i cili tashmë bashkëqeveris me VMRO-DPMNE-në, bie ndesh me qëndrimin e Ramës, i cili ruan marrëdhënie të afërta me BDI-në e Ali Ahmetit – tashmë në opozitë.
Kjo përçarje mes dy liderëve shqiptarë në rajon po ndikon drejtpërdrejt në dinamikën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke e bërë edhe më të ndërlikuar situatën brenda komunitetit.
Gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Gazmend Ajdini, thotë se shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të bëhen peng i inateve personale mes liderëve. Ai paralajmëron se politikat aktuale po rrezikojnë të zhbëjnë të arriturat e shqiptarëve pas vitit 2001, duke favorizuar forca që veprojnë kundër interesit kombëtar. Sipas Ajdinit, çdo përkrahje ndaj kësaj qasjeje është një hap drejt tradhtisë kombëtare.
“Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë dhe nuk duhet të bëhen peng i inateve personale Kurti-Rama. Shtyrjet personale janë të parëndësishme derisa nuk ndikojnë në mënyrë retrograde në avancimin e shqiptarëve si komuniteti i dytë më i madh në vend, me rreth 30% të popullsisë. Fatkeqësisht, politikat aktuale në vend po shkojnë në këtë drejtim, duke favorizuar ata që luftojnë të arriturat e shqiptarëve pas 2001-shit. Çdo përkrahje e kësaj politike është në drejtim të kësaj tradhtie kombëtare” thotë Gazmend Ajdini për Gazetën Exoress.
Analisti Florian Nesimi vlerëson se përplasjet e fundit mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës lidhur me politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk duhen parë thjesht si ndërhyrje të jashtme, por më shumë si pasojë e dobësisë së vetë partive shqiptare vendore – BDI dhe VLEN – për të ndërtuar politika të pavarura dhe autentike. Nga ana tjetër, Nesimi thekson se ndikimi i Kurtit te opozita shqiptare në zgjedhjet e fundit është fryrë në mënyrë propagandistike nga kundërshtarët, për të dëmtuar koalicionin opozitar. Sipas tij, ndërhyrjet nga Tirana dhe Prishtina shpesh ndodhin me ftesën e vetë partive vendore, të cilat në momente të vështira kërkojnë mbështetje nga jashtë, duke anashkaluar kapacitetet intelektuale brenda vendit dhe duke mos i përfshirë ato në procesin politik.
“Kohëve të fundit është krijuar një përshtypje se Edi Rama dhe Albin Kurti politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut e kanë shndërruar në një arenë ku ata masin forcat për të treguar se cili nga ta është lideri më i pëlqyer apo lideri i gjithë shqiptarëve. Por këto veprime të tyre përpara se t’i quajmë si ndërhyrje nga jashtë, paraprakisht këtë fenomen do ta kisha quajtur si dobësi e BDI-së dhe VLEN-it për të krijuar politika autentike vendore, të pavarura nga ndikimet nga Shqipëria dhe Kosova. Në 10 vitet e fundit të gjithë jemi dëshmitarë se si Edi Rama vazhdimisht ka ushtruar influencë mbi disa politikanë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe gjithnjë këto ndërhyrje të tij kanë shkuar në favor të BDI-së. Rama kështu nga njëra anë ka shpëtuar BDI-në dhe nga ana tjetër këtë e ka përdorur edhe për nevojat e tij të brendshme në Shqipëri ku ai përpiqet të proklamohet si “lideri që bashkon shqiptarët”. Nga ana tjetër, në zgjedhjet e fundit parlamentare për herë të parë partitë opozitare shqiptare u bashkuan për të sjellur ndryshimin. BDI dhe disa politikanë e analistë nga Shqipëria dhe Kosova nuk ishin mësuar që të shihnin një opozitë të bashkuar dhe për këtë duhej të gjenin një fajtor, dhe kështu e akuzuan Kurtin për ndërhyrje në Maqedoninë e Veriut. Ndikimi i Kurtit te VLEN-i nuk ishte aq i madh sa ishte e madhe propaganda e ulët politike e cila përpiqej të njolloste figurën e Kurtit dhe të dëmtonte opozitën e bashkuar. Mendoj se ndërhyrjet që vijnë nga Shqipëria e Kosova fillimisht vijnë me vetë kërkesën e partive tona politike të cilat në momente krize kërkojnë shpëtim nga Shqipëria e Kosova. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë kapacitetet e duhura intelektuale për të krijuar politikat autentike por fatkeqësisht partitë politike nuk i kyçin intelektualët në politikbërjen e tyre, por po ashtu mund të themi edhe se te vetë intelektualët mungon guximi për aktivizëm në sferën politike” thotë analisti Florian Nesimi.
Ndërkaq vetëm një ditë më herët, Bashkimi Europian alarmoi për ndikim rus dhe kinez në Maqedoninë e Veriut përmes Serbisë dhe Hungarisë.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut Tomas Vajc, në raportin që pritet të shqyrtohet në seancë plenare më 8 korrik, shpreh shqetësimin për ndikimin serb dhe hungarez, nëpërmjet të cilave avancohet ndikimi rus dhe kinez. Kjo, sipas eurodeputetit bëhet përmes diplomacisë, mediave, por edhe kredive dhe investimeve me klauzola shtrënguese për Maqedoninë./B.Leka/GazetaExpress/
tag_katrorimaqedoni_2