Milani duhet ta menaxhojë me kujdes qetësinë, e mbi të gjitha i duhet mjaft diplomaci për t’ia dalë që t’ia marrë Club Brugget Ardon Jasharin.
Sipas mediumit italian “Corriere dello Sport”, trajneri Massimiliano Allegri e ka veçuar futbollistin shqiptar për mesfushën e tij të sezonit të ri dhe e sheh atë si një prioritet, duke e pasur parasysh se ka marrë fjalë të mëdha për lojtarin nga të gjithë bashkëpunëtorët e tij, përcjell “Gazeta Express”.
Dhe, mediumi italian tutje shton se është paraparë një takim i ri mes palëve: ideja është që me 35 milionë euro të mund të mbyllet kjo çështje, pasi ky është mesi i ofertës së italianëve dhe i kërkesës së belgëve.
Vetë përfaqësuesi zviceran ka bërë të ditur se dëshiron të largohet dhe që e konsideron vetëm Milanin si destinacionin e tij të ardhshëm.
Interesim për të kanë shfaqur edhe Manchester United, Manchester City dhe Borussia Dortmundi, por Jashari e do vetëm ekipin Kuqezi.
Drejtori sportiv, Igli Tare në orët në vazhdim do ta përmirësojë ofertën në aspektin ekonomike me shpresën që belgët do t’i thonë “po”.
Gjithashtu, si opsione rezervë të Milanit janë edhe Javi Guerra i Valencias dhe shqiptari tjetër, Granit Xhaka i Bayer Leverkusenit.
Spanjolli kushton 25-27 milionë euro, edhe për shkakun e një përqindjeje të rishitjes, që Valencia duhet t’ia japë Villarrealit.
Kurse, ish-futbollisti i Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit kushton 15 milionë euro, ndërsa Milani i ka ofruar 10 milionë për yllin shqiptar, duke e pasur parasysh moshën e tij të shtyrë, shumë kjo që është dukur e pamjaftueshme për “Aspirinët”. /Gazeta Express