"Delije" mblodhën para për strukturat në veri në Göteborg, reagon shoqata shqiptare "Vatra" - Gazeta Express
string(86) "delije-mblodhen-para-per-strukturat-ne-veri-ne-goteborg-reagon-shoqata-shqiptare-vatra"

Lajme

Gazeta Express

01/07/2025 13:00

“Delije” mblodhën para për strukturat në veri në Göteborg, reagon shoqata shqiptare “Vatra”

Lajme

Gazeta Express

01/07/2025 13:00

Shoqata shqiptare “Vatra KIF” në Suedi ka reaguar ndaj aktivitetit të grupit ekstremist serb ‘Delije’ në një palestër sportive në Göteborg.

Kryetari i kësaj shoqate, Behar Tahiri, ka thënë se më 26 prill ishte organizuar një turne nga grupi famëkeq serb “Delije”, i njohur për përhapjen e ideologjive ekstremiste, nacionaliste dhe anti-shqiptare.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se ka njoftuar të gjitha institucionet përkatëse të Suedisë, përfshirë autoritetet komunale në Göteborg, mbi atë që e quan një ngjarje të rrezikshme dhe thellësisht shqetësuese për komunitetin shqiptar. Sipas tij, grupi “Delije”, që mbështet skuadrën serbe Crvena Zvezda, jo vetëm që ka shpalosur mesazhe ofenduese ndaj shqiptarëve, por edhe ka grumbulluar para për të mbështetur individë dhe struktura që “destabilizojnë veriun e Kosovës që nga përfundimi i luftës”.

Tahiri kujton se në të njëjtën palestër, Shoqata “Vatra KIF” zhvillon prej vitesh aktivitete kulturore dhe sportive për komunitetin shqiptar, me fokus të veçantë te fëmijët dhe të rinjtë. Ai e cilëson të papranueshëm faktin që një grup me qëndrime ekstremiste dhe përmbajtje nxitëse ndaj urrejtjes etnike është lejuar të veprojë në hapësira publike komunale.

“Në këtë sallë, fëmijët tanë mësojnë vlerat e sportit dhe bashkëjetesës. Është e papranueshme që në të njëjtin ambient të përhapen mesazhe që nxisin urrejtje e dhunë”, shkroi Tahiri.

Kryetari i shoqatës “Vatra” njoftoi gjithashtu se përveç institucioneve suedeze, janë kontaktuar edhe ambasadat e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në Stockholm, për të kërkuar reagim diplomatik dhe ndërhyrje institucionale lidhur me këtë ngjarje. /RTK