Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi të martën një tryezë të rrumbullakët me temë “Liria e mediave dhe siguria e gazetarëve”, në të cilën u ngritën shqetësime serioze lidhur me presionet ndaj gazetarëve dhe rënien e Kosovës në indeksin e organizatës “Reporterët pa Kufij”, raporton Ekonomia Online.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se liria e mediave dhe e shprehjes janë dy shtylla themelore të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, ndërsa vlerësoi se situata aktuale paraqet sfidë serioze.
“E drejta dhe liria e mediave hyjnë në katalogun e të drejtave të njeriut dhe liria e shprehjes janë dy baza të themelit të demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Roli i institucionit të Avkatit të Popullit në këtë rrafsh është shumë i rëndësishëm. Qëllimi i takimit është që të diskutohet për situatën, gjendjen dhe sfidat që kërcënojnë lirinë e mediave dhe të gazetarëve. ‘Reporteri pa Kufij’ në raportin e tyre e ranguan Kosovën më poshtë, problematik ishte edhe te indikatorët matës dhe nëse i analizojmë këta indikatorë del që niveli më kritik i kontekstit të trajtuar është ndërhyrja politike në media dhe siguria e gazetarëve”, tha Qelaj.
Ai shtoi se qasja e qeverisë dhe institucioneve publike ndaj raportimeve të tilla ka qenë përpjekje për relativizim të realitetit.
“Qeveria dhe pjesa e publikut në përgjithësi raportin e trajtuan jo racionalisht, si tendencë për të paraqitur keq Kosovën, duke i adresuar fajet tek ata që kanë raportuar te kjo organizatë, në njëfarë mënyre duke minimizuar dhe relativizuar gjithçka që raporti shfaqte. Rënia në indeks tregon rritjen e presionit politik mbi media dhe sulme ndaj gazetarëve. Kjo është një alarm dhe duhet të merren masa për të garantuar pacenueshmërinë e themelit të demokracisë”, tha Qelaj.
Edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, e vlerësoi situatën si të rënduar, duke vënë në pah se sulmet ndaj mediave janë të vazhdueshme.
“Ajo që është e qartë në atë çka ka ndodhur pas publikimit të këtij raporti është që liria e medias në Kosovë vazhdon të jetë e sulmuar vazhdimisht. Aktorët janë të njëjtët dhe që nuk ndryshojnë. Janë kryesisht pushteti dhe partia më e madhe në vend. Tri arsyet kryesore pse Kosova është renditur keq janë: ligji për KPM-në, ndërhyrja në RTK dhe fushatat denigruese”, tha Rexha.
Juristja për të drejtat e mediave, Flutura Kusari, e cilësoi 3 Majin, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, si një datë që në vendet demokratike shënohet me përkushtim për përmirësim, ndërsa në Kosovë, sipas saj, po ndodh e kundërta.
“Prej se ka ardhur VV-ja në pushtet, e festojmë 3 Majin duke na sharë, fyer, sulmuar edhe denigruar online. Në vend që të kishim përkushtim për përmirësim patëm të kundërtën: përpjekje për të zhvendosur vëmendjen diku tjetër. Liria e medias është vazhdimisht e cenuar në Kosovë. Sistemi gjyqësor është mbrojtësi më i madh i lirisë së shtypit, mediave dhe gazetarëve”, tha ajo.