Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos sot nga Samiti i liderëve të vendeve të BE-Ballkani Perëndimor në Shkup theksoi se shtetet e Bashkimit Evropian kanë konsensus për zgjerim tani.
“Ka konsensus për zgjerim tani. Por dritarja e mundësisë, mund të mos jetë aty përherë. Po shohim përparim”, ka thënë ajo në samitin rajonal BE-Ballkani Perëndimor në Shkup, teksa ka theksuar përparimin e Shqipërisë me hapjen e negociatave muajve të fundit.
Duke u ndalur tek Kosova, eurokomisionerja Kos tha se po presin formimin e qeverisë së re “për t’u fokusuar me energji të plotë në procesin e anëtarësimit”.
Lidhur me Planin e Rritjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor, rreth 6 miliardë euro në formë granti nga BE-ja dhe një pjesë në formë kredie, ajo ka thënë se tani gjithçka është në duart e shteteve të Ballkanit.
Samiti, mikpritur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, po zhvillohet me pjesëmarrjen e Komisioneres Evropiane për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Marta Kos, liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministrave, përfaqësuesve të lartë të BE-së, organizatave rajonale dhe institucioneve ndërkombëtare.
Në kuadër të samitit do të mbahen dy panele kryesore. Paneli i parë do t’i kushtohet Planit për Rritje të Ballkanit Perëndimor, ku do të marrin fjalën kryeministri Mickoski dhe komisionerja Kos. Më pas, është parashikuar një konferencë e përbashkët për media.
Ky samit vlerësohet si një mundësi kyçe për të bërë një bilanc të progresit të deritanishëm dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm drejt forcimit të bashkëpunimit dhe integrimit evropian të rajonit. BE-ja ka njoftuar se Samiti do të jetë mundësi për të diskutuar fusha të reja bashkëpunimi në mbrojtjen e konsumatorit, turizmit.
tag_katrorimaqedoni_2