Pas disa muajsh hetimesh dhe përgjimesh të kryera nga prokuroria, ditën e sotme është arrestuar efektivi i Policisë së Burgjeve në Drenovë, R. M
Burime zyrtare bëjnë me dije se hetimet ndaj tij kishin nisur prej kohësh, për shkak të dyshimeve se ai ishte i përfshirë në futjen e lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të ndaluara.
Sipas të dhënave të para, dyshohet se polici ka futur në mënyrë të përsëritur brenda ambienteve të burgut doza të lëndës narkotike të llojit kanabis.
Arrestimi i tij u krye pas një urdhri të lëshuar nga Prokuroria, bazuar në provat e mbledhura gjatë përgjimeve dhe hetimeve të kryera.
Ndërkohë, burime nga Policia e Korçës bëjnë me dije se hetuesit po verifikojnë mundësinë e përfshirjes edhe të punonjësve të tjerë të burgut të Drenovës në këtë veprimtari të paligjshme.
Dyshohet se mund të ketë patur bashkëpunim mes stafit për të lehtësuar futjen e lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera në qelitë e të dënuarve. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën.