Miodrag Grbic, një prej shkencëtarëve më të njohur serbë në botë në fushën e gjenetikës dhe biologjisë molekulare, ka marrë një hap të pazakontë në shenjë proteste ndaj politikave shtetërore ndaj arsimit të lartë dhe shkencës në Serbi.
Ai ka vendosur të kthejë dekoratën “Ylli i Karagjorgjës – shkalla e dytë”, të cilën ia kishte ndarë presidenti Aleksandar Vuçiq vitin e kaluar me rastin e Ditës së Pavarësisë, raporton Kossev.
Grbic këtë veprim e cilëson si akt solidariteti me profesorët dhe studentët e Universitetit të Beogradit, të cilëve u është mohuar e drejta për të kryer kërkime shkencore, përmes një vendimi të ri të qeverisë.
“Dekoratën e kthej nga solidariteti me profesorët e universitetit të cilëve me një urdhër iu hoq e drejta për të bërë kërkime shkencore. Unë këtë dekoratë nuk e mora për ligjërim, por për punë shkencore dhe rezultatet që kemi arritur”, tha Grbic në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Ai paralajmëroi se ndërhyrja e qeverisë në aktivitetin shkencor përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj arsimit dhe së ardhmes së vendit.
“Heqja e të drejtës për kërkime shkencore është një goditje e madhe ndaj arsimit, universitetit dhe së ardhmes së kësaj shoqërie. Jemi në shekullin XXI – shekull i ekonomisë së dijes dhe i feudalizmit teknologjik. Shtetet që nuk kanë shkencë të mirë dhe edukim, janë të dënuara me skllavëri teknologjike.”
Duke komentuar vendimin e qeverisë për kufizimin e punës shkencore në universitete, Grbic tha se shikon me “tmerr të butë” atë që po ndodh në Serbi.
“Një regjim që rreh inteligjencën e vet, në fakt po pret degën mbi të cilën ulet”, deklaroi ai.
Ai e vuri në pikëpyetje logjikën e vendimit që, sipas tij, e zbeh ndjeshëm rolin e kërkimit shkencor në projektet ndërkombëtare, veçanërisht ato evropiane.
“Si revizor i projekteve evropiane në Bruksel, e di sa mund dhe përkushtim kërkojnë ato projekte. Nuk e kuptoj si do të funksionojnë studiuesit serbë me projekte evropiane, kur kërkimet u janë kufizuar në vetëm një orë në ditë. Ndonjëherë të duhen 48 orë në ditë për të realizuar projekte të tilla ambicioze.”
Grbic tha se vendimi është “shkatërrues për të ardhmen e Serbisë” dhe se dekoratën nuk e konsideron thjesht si një nderim personal, por edhe si vlerësim për komunitetin shkencor serb.
“Këtë dekoratë e kam parë si një vlerësim jo vetëm për mua, por edhe për shumë studiues serbë me të cilët kemi bashkëpunuar – arkeologët tanë të jashtëzakonshëm, kërkuesit nga Fakulteti i Arkitekturës dhe ai i Bujqësisë.”
Në video-mesazhin e tij, Grbic komentoi edhe mbi ngjarjen tragjike të shembjes së strukturës metalike në protestat studentore dhe mënyrën se si mediat e kanë mbuluar atë ngjarje.
“Jam rritur në një ndërtesë përballë Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit. Nën atë mbulesë kam kaluar me mijëra herë. Nuk kam televizor që 30 vjet, por kur ndodhi kjo ngjarje, si shkencëtar që nuk merrem me politikë por analizoj fakte, fillova të shoh si mediat e quajtura të ‘Sholakut’ ashtu edhe mediat tabloide”
“Kur pashë raportimet e tabloideve, nuk mund të besoja. Niveli i mungesës së etikës gazetareske, i etiketimit dhe i joprofesionalizmit është i pabesueshëm.”
Ai përgëzoi disa media që, sipas tij, raportojnë drejtë, pa e ndikuar narrativën, duke i lejuar qytetarët të formojnë vetë mendimin e tyre.
Në fund, Grbic theksoi se ka identifikuar shkakun e shembjes së strukturës së protestës studentore si pasojë të “shkeljes së ligjit, punës joprofesionale dhe paditurisë, prapa të cilës fshihet korrupsioni”.