Eliza Hoxha, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), vlerësoi se në gjithë procesin e konstituimit të Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar jashtëzakonisht e heshtur.
“Nuk e kemi e as nuk duhet ta kemi komoditetin në këso lloj procesi të gjatë, duke parë se çfarë po ndodh rreth nesh, qoftë me fondet, qoftë me proceset e tjera politike apo edhe me proceset gjeopoltike, e që Kosova nuk është fare pjesë si dikur e agjendës së përgjithshme të politikës globale”, tha Hoxha.
Deputetja Hoxha tha në “Tempus” se presidentja duhet ta ushtrojë funksionin e saj, e që është e vetmja si institucion e cila ka legjitimitet.
Ajo tha se afati prej 30 ditësh nuk precizon asgjë dhe nuk do të duhej të precizonte asgjë sepse jemi Republikë Parlamentare dhe do të duhej të kishim konsensus dhe kompromis për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit.
Ndërsa, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se nuk mund të presim nga Presidentja mrekulli apo që të dalë jashtë kompetencave të saj, pasi vlerëson se është brenda mandatit të saj.
Por, sipas tij, e vetmja mënyrë e saj që të reagojë është përmes ftesës së partive politike- megjithatë nuk ka ndonjë mekanizëm që mund t’i detyrojë partitë politike.
“Nëse partitë politike nuk arrijnë me konstituu Kuvendin edhe Presidentja nuk besoj që ka ndonjë shkop magjik ose mundet me bë diçka më shumë”, tha Miftaraj. /BetimipërDrejtësi