Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), derisa përmendi gjatë debatit në “Tempus” përplasjen në deklarata mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky diskurs duhet të ndryshojë dhe se nuk mjafton që vetëm OJQ-të dhe mediet të diskutojnë për tema me interes, por është përgjegjësi e secilit deputet dhe partisë politike.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për një çerdhe në Bardhosh të Prishtinës, të hënën, janë përplasur me deklarata. Derisa Rama i bëri thirrje publike Kurtit që të zhbllokojë buxhetin e Komunës, duke përmendur projektet e mëdha, Kurti i tha se pas vjeshtës ai duhet të gjejë një punë tjetër.
Sipas Miftarajt, ky diskurs publik tanimë është se kush e mund kënd me fjalë dhe kush po e ofendon kënd më shumë, e që thotë se kjo është më shumë për egon e pjesës së qytetarëve që duan të shohin këtë “reality-shou”, por që nuk zgjidh problemet e qytetarëve.
“Kryetari i Komunës në mënyrë legjitime dhe shumë profesionale e moderne i kërkoi kryeministrit debat dhe bashkëpunim për projekte që janë me interes për qyetarët e Kosovës e kryeqytetin e Republikës së Kosovës, e ku kryeministri i tha gjejë një punë të re pas 12 tetorit sepse nuk do të jesh më kryetar komune”, tha Miftaraj. /BetimipërDrejtësi