Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Uashingtoni nuk e ka shmangur kërcënimin prej sulmeve kibernetike, njoftuan FBI-ja dhe shërbimi sekret NSA. Grupet e hakerave që mbështesin Teheranin mund të vazhdojnë të përpiqen të prishin ose ta paralizojnë infrastrukturën kritike, si p.sh. rrjetin e furnizimit me energji elektrike, shërbimet e transportit ose ekonominë, thanë të dy agjencitë.
Edhe sipërmarrjet e prodhimit të armatimeve dhe pajisjeve për mbrojtje si dhe kompani të tjera amerikane që kanë lidhje me Izraelin mund të jenë gjithashtu edhe më tej në shënjestër.
Njoftimi i shërbimeve sekrete të SHBA-së përmban edhe rekomandime për forcimin e mbrojtjes digjitale, si p.sh. instalimin e rregullt të përditësimeve të softuerëve dhe përdorimin e sistemeve të sigurta për menaxhimin e fjalëkalimeve.
Pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane hakerat sulmuan bankat amerikane, kompanitë e prodhimit të armatimeve dhe të pajisjeve për mbrojtjen, si dhe sipërmarrje të energjisë, por nuk shkaktuan probleme dhe dëme të mëdha.