FC Barcelona po kalon një moment kyç në planifikimin e skuadrës së saj. Me Hansi Flick që ka marrë drejtimin si trajner dhe pas firmës së Nico Ëilliams, klubi “blaugrana” ka nevojë të ulë pagat për të përmbushur kërkesat e La Ligës. Në këtë kontekst, emri i Fermín López po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi si një mundësi për të gjeneruar të ardhura.
Mesfushori i ri nga Andaluzia, i cili ka treguar përkushtim, disiplinë dhe talent që nga debutimi me ekipin e parë, është shumë i dashur për tifozët dhe gëzon besimin e stafit teknik. Megjithatë, ngarkesa në repartin e mesfushës dhe ndryshimet taktike mund ta lënë atë në një rol dytësor këtë sezon. Në skemën e re të Flick, me lojtarë të pastër krahu si Lamine Yamal dhe Nico që luajnë gjerë, dhe me disa lojtarë që garojnë për rolin e mesfushorit ofensiv, Fermín do ta ketë të vështirë të gjejë minuta loje.
Drejtuesit e Barcelonës nuk do ta përjashtonin mundësinë për të shqyrtuar oferta për 22-vjeçarin, sidomos nëse këto arrijnë shifra të konsiderueshme. Me kontratë deri në vitin 2029 dhe një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurosh, vlera e tij aktuale në treg llogaritet rreth 50 milionë euro — një shumë që disa klube nga Premier League dhe Bundesliga do të ishin të gatshme ta paguanin. Bayern Munich, Liverpool dhe Manchester United kanë shprehur tashmë interesim.
Megjithatë, Barça nuk ka ndërmend ta shesë lojtarin nën vlerë. Sipas gazetës “Sport”, largimi i tij do të merrej parasysh vetëm nëse oferta bind si klubin, ashtu edhe vetë Fermín, i cili ka deklaruar vazhdimisht dëshirën për të triumfuar në “Camp Nou”. Por me presionin e “fair play”-t financiar që sa vjen e shtohet, shitja strategjike është një mundësi reale. Dhe Fermín, për shkak të potencialit dhe paraqitjeve të tij, është një nga asetet më të vlefshme të klubit.