Në zemër të një shteti që e promovon veten si multietnik dhe demokratik, po përballet me një krizë arsimore që rrezikon të zhbëjë rrënjët e gjuhës dhe identitetit të tij. Arsimi në gjuhën turke në Kosovë është në rënie të lirë, dhe heshtja institucionale që e rrethon e bën këtë rënie edhe më të rrezikshme.
Shkruan Enis Tabak
Në Prizren, qyteti që për shumëkënd është simbol i bashkëjetesës, klasat e shkollave me mësim në gjuhën turke po zbrazen. Në Mitrovicë, disa rrezikojnë të mbyllen plotësisht. Ndërsa institucionet promovojnë përfshirjen e komuniteteve në dokumente dhe deklarata, realiteti në terren tregon një histori tjetër: një histori të mungesës së teksteve shkollore cilësore, të mungesës së kuadrove të përgatitur, të mungesës së vëmendjes politike dhe buxhetore për një pjesë të barabartë të shoqërisë kosovare.
Problemet strukturore janë të shumta. Librat në gjuhën turke janë shpesh të vjetruar, përkthyer dobët nga gjuha shqipe apo serbe dhe nuk reflektojnë kontekstin lokal. Shkollat me mësim në turqisht funksionojnë me burime të kufizuara, ndërsa në nivel universitar, mundësitë janë të pakta, duke detyruar shumë të rinj të ndjekin studimet në Turqi.
Përkundër disa përpjekjeve të izoluara si ndihmat me libra nga Turqia apo përkrahja nga figura politike të komunitetit turk mungon një strategji shtetërore afatgjatë që e trajton këtë çështje si pjesë thelbësore të zhvillimit arsimor dhe social të vendit.
Nga përjashtimi institucional tek rreziku i asimilimit
Ndërkohë që Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë parashikon mbrojtje për të gjitha komunitetet joshumicë, fokusi në implementim nuk ka qenë pothuajse ekskluzivisht tek komuniteti turk. Komunitetet si ai turk, ndonëse me përfaqësim politik në institucionet vendimmarrëse, mbesin në margjinat e agjendës shtetërore. Kjo heshtje e zgjatur administrative dhe politike rrit rrezikun që brezat e rinj të humbasin lidhjen me gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre.
Gjuha turke në Kosovë nuk është vetëm një mjet komunikimi; është pjesë e kujtesës kolektive, është lidhje kulturore, dhe është dëshmi e një historie që shkon përtej kufijve kombëtarë.
Zgjidhjet ekzistojnë, por kërkojnë vullnet politik dhe përfshirje aktive. Është e nevojshme: Të krijohet një njësi brenda Ministrisë së Arsimit për koordinimin e arsimit në gjuhët e komuniteteve joshumicë, përfshirë turqishten; Të hartohen dhe botohen tekste shkollore origjinale në gjuhën turke, të përshtatura për realitetin kosovar; Të mbështeten universitetet që ofrojnë programe në gjuhën turke dhe të trajnohen mësimdhënësit në mënyrë të vazhdueshme; Të sigurohet që zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për të drejtat e komuniteteve të mos jetë selektiv.
Gjuha turke është pjesë e identitetit të Kosovës si shtet shumëtnik dhe demokratik. Të mbrosh këtë arsim është të mbrosh barazinë, diversitetin dhe të ardhmen e një vendi që ende po ndërton veten.
Andaj arsimi në gjuhën turke në Kosovë është pasqyrë e qasjes institucionale ndaj diversitetit. Dhe ajo që kjo pasqyrë na tregon sot, është neglizhencë dhe shpërfillje. Por nuk është vonë për të ndryshuar këtë rrjedhë me përkushtim, me bashkëpunim, dhe me vullnet politik të vërtetë.
(Enis Tabak është gazetar. Ky publikim u mundësua në kuadër të projektit “Dialogue, Solution, Future”, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, të implementuar nga Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari. Përmbajtja nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë).