Pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), nr. 01/802, të datës 27 qershor 2025, i cili u jep autorizim kryetarëve të gjykatave të nivelit të lartë për të vlerësuar gjendjen e kushteve të punës në Pallatin e Drejtësisë dhe për të vendosur mbi reduktimin ose pezullimin e punës në rast të kushteve të pafavorshme klimatike, Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, ka marrë vendim për reduktimin e orarit të punës në këtë institucion.
Sipas vendimit, gjyqtarët dhe stafi mbështetës që kanë probleme shëndetësore janë liruar nga puna që nga mesdita e sotme, për të shmangur rrezikun nga ekspozimi në temperatura të larta, të cilat kanë vështirësuar ndjeshëm kushtet në objektin e gjykatës.
“Masat e ndërmarra do të jenë në fuqi deri në një njoftim tjetër, dhe do të rishikohen në vazhdimësi, në varësi të përmirësimit të kushteve klimatike dhe ndërhyrjeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme – e cila është përgjegjëse për menaxhimin e objektit të Pallatit të Drejtësisë”, thuhet në vendim.
Ky vendim, sipas njoftimit vjen si përgjigje ndaj rritjes së ndjeshme të temperaturave në vend dhe mungesës së kushteve të përshtatshme klimatike brenda objektit gjyqësor.