Gjatë ditës së sotme, gjyqtarët britanikë do të vendosin mbi një sfidë ligjore të ngritur nga organizata pro-palestineze Al-Haq, e cila kërkon të bllokojë qeverinë britanike nga furnizimi i Izraelit me pjesë të avionëve luftarakë F-35.
AFP ka raportuar se edhe pse qeveria britanike ka pezulluar disa leje eksporti për pajisje ushtarake, pas arritjes në përfundimin se Izraeli mund të jetë duke shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar në Gaza, ajo ka bërë një përjashtim për disa pjesë të avionëve stealth F-35 të Lockheed Martin, transmeton Express.
Bëhet e ditur se në padinë e ngritur nga Al-Haq, pretendohet se ky përjashtim është i paligjshëm ndërsa akuzohet qeveria për keqkuptim të rregullave të ligjit ndërkombëtar – një pretendim që ministrat e mohojnë.
Dihet se Mbretëria e Bashkuar kontribuon me pjesë në një program ndërkombëtar mbrojtjeje që prodhon dhe mirëmban avionët F-35, ndërsa lidhur me këtë çështje, Sekretari i Mbrojtjes, John Healey, ka thënë se pezullimi do të ndikonte në “të gjithë programin F-35” dhe do të kishte një “ndikim të thellë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.”