Sot në orën 10:00 në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvillohet seanca e parë gjyqësore në procesin penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurve të tjerë në kuadër të dosjes “Partizani”.
Për herë të parë, Berisha dhe Malltezi do të përballen në bankën e të akuzuarve si të pandehur në një gjykim në themel. Nuk dihet ende nëse Berisha do të jetë personalisht i pranishëm në sallë apo do të përfaqësohet nga avokatët e tij.
Sot, në orën 09:30, pritet që GJKKO të shqyrtojë edhe kërkesën e Jamarbër Malltezit për revokimin e masës së sigurisë.
Malltezi përballet me akuzat për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas hetimeve të SPAK, ai dyshohet se ka përfituar 5.4 milionë euro nga një projekt ndërtimi mbi truallin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, përmes vendimeve të favorizuara të qeverisë së kohës, të drejtuar nga vjehrri i tij, Sali Berisha.