ShBA-ja duhet t’i përjashtojë sulmet e reja para se të mund të nisin bisedimet, thotë diplomati iranian - Gazeta Express
string(101) "shba-ja-duhet-ti-perjashtoje-sulmet-e-reja-para-se-te-mund-te-nisin-bisedimet-thote-diplomati-iranian"

Lajme

Gazeta Express

30/06/2025 9:56

ShBA-ja duhet t’i përjashtojë sulmet e reja para se të mund të nisin bisedimet, thotë diplomati iranian

Lajme

Gazeta Express

30/06/2025 9:56

Shtetet e Bashkuara duhet të përjashtojnë çfarëdo sulmi të ri ndaj Iranit, nëse dëshirojnë që t’i rinisin bisedimet diplomatike me këtë shtet, i ka thënë televizionit BBC zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Majid Takht-Ravanchi.

Sipas tij, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i ka thënë Iranit përmes ndërmjetësve se dëshiron që të rikthehet në bisedime, por “nuk e kanë bërë të qartë pozicionin e tyre” për “çështjen shumë të rëndësishme” – sulmet e mëtejme gjatë zhvillimit të bisedimeve.

Operacioni ushtarak i Izraelit, i cili filloi në orët e hershme të 13 qershorit, e prishi rundin e gjashtë të bisedimeve kryesisht të tërthorta që pritej në mbaheshin në Muscat dy ditë më vonë.

Shtetet e Bashkuara u përfshinë drejtpërdrejt në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit fundjavën e kaluar, kur vunë në shënjestër tri qendra bërthamore të Iranit me aeroplanë bombardues B-2.

Zëvendësministri iranian tha se vendi i tij do të “këmbëngulë” për të qenë në gjendje që ta pasurojë uraniumin për ato që thotë se janë qëllime paqësore, duke i mohuar akuzat se Teherani po lëvizte në mënyrë të fshehtë drejt prodhimit të një arme bërthamore.

Ai tha se Iranit “i është mohuar qasja në material bërthamor” për programin e vet hulumtues, prandaj i duhet që “të mbështetet në veten e vet”.

“Niveli i kësaj mund të diskutohet, kapaciteti mund të diskutohet, por të thuhet se ju nuk duhet të keni pasurim, ju duhet të keni zero pasurim, dhe nëse nuk pajtoheni, ne do t’ju bombardojmë – ky është ligji i xhunglës” – shtoi Takht-Ravanchi.