Kushtet alarmante në Pallatin e Drejtësisë, një punonjës alivanoset - Gazeta Express
string(66) "kushtet-alarmante-ne-pallatin-e-drejtesise-nje-punonjes-alivanoset"

Lajme

Gazeta Express

29/06/2025 9:55

Kushtet alarmante në Pallatin e Drejtësisë, një punonjës alivanoset

Lajme

Gazeta Express

29/06/2025 9:55

Gjatë këtij sezoni të verës, njësoj si në vitet e kaluara, punonjësit në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, po përballen me kushte të rënda pune për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së funksionimit të duhur të sistemit të klimatizimit.

Temperaturat brenda ambienteve të punës, përfshirë zyrat dhe sallat e gjykimit, kanë arritur deri në 34–35°C, çka po ndikon negativisht në shëndetin e gjyqtarëve, stafit administrativ dhe palëve të përfshira në seanca gjyqësore, si dhe në efikasitetin e punës së përditshme të gjykatës.

Sipas informatave zyrtare problemi buron nga mosfunksionimi i njërës prej dy termo pompave që shërbejnë për klimatizimin e ndërtesës. Aktualisht, vetëm një termo-pompë është në funksion, por ajo nuk arrin të përballojë ngarkesën për të gjithë objektin. Si pasojë, janë raportuar edhe raste të alivanosjes së punonjësve, ndërkohë që Shoqata Sindikale e Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk e përjashton mundësinë e organizimit të protestave.

Ndërsa, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka autorizuar kryetarët e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë që të vlerësojnë kushtet e punës, duke shqyrtuar mundësinë e pezullimit apo reduktimit të punës.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi deklaroi se temperaturat e larta kanë shkaktuar ambient të papërballueshëm për punonjësit në Pallatin e Drejtësisë.

Ajo thotë se si pasojë e gjendjes së krijuar është rënduar edhe më shumë situata shëndetësore e punëtorëve që kanë sëmundje kronike, derisa shton se ka ndodhur edhe një alivanosje.

Punonjësit në pallat po kërkojnë kushte minimale për punë, derisa theksojnë se deri tani nga Ministria e Punëve të Brendshme që e ka nën administrim këtë objekt, nuk ka ndërmarrë masa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi.

Shqetësimet për kushtet e punës në hapësirat ku ndodhen institucionet e drejtësisë i shfaqen edhe sindikalistët e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kryesindikalisti ka theksuar se temperaturat e larta po shkaktojnë lodhje fizike, marramendje dhe vështirësi në përqendrim, duke e bërë të pamundur punën në kushte normale.

Sipas tij, sindikata ka bërë kërkesat e saj të përsëritura, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete, gjë që e ka shtyrë atë të paralajmërojë mundësinë e organizimit të protestave.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në një përgjigje për KosovaPress, kanë theksuar se janë në dijeni për gjendjen në Pallat. Duke iu referuar disa përgjigjeve të këtij institucioni i janë kthyer nga Ministria e Punëve të Brendshme, thuhet se termo-pompa 1 ndodhet jashtë funksionit.

Po në këtë përgjigje thuhet se nga MPB i kanë njoftuar se tashmë për sanim të gjendjes është nënshkruar kontrata dhe së shpejti pritet të zgjidhet ky problem.

Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës vendosja e aparaturave tjera edhe teknikisht është problem, por edhe paraqet kosto shtesë që nuk mundet ta mbuloj KGjK.

Pallati i Drejtësisë në Prishtinë është inauguruar në vitin 2014, pas një ndërtimi që nisi në vitin 2011. Në vazhdimësi ky objekt është ballafaquar me telashe me klimatizim qoftë gjatë dimrit dhe verës, ndërsa shpesh vërshohet edhe nga uji. /kp