Kryetari i Komunës së Skënderajt konfirmon privatizimin e KF Drenicës - Gazeta Express
string(69) "kryetari-i-komunes-se-skenderajt-konfirmon-privatizimin-e-kf-drenices"

Sport

Gazeta Express

28/06/2025 15:22

Kryetari i Komunës së Skënderajt konfirmon privatizimin e KF Drenicës

Sport

Gazeta Express

28/06/2025 15:22

Klubi i Futbollit Drenica po hyn në një epokë të re.

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, ka bërë të ditur se të hënën, më 30 qershor, nga ora 17:00, në stadiumin “Bajram Aliu” do të zhvillohet ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjes historike për privatizimin e klubit.

Në një postim publik, kryetari Nura thekson se kjo marrëveshje vjen si rezultat i zhvillimeve pozitive pas rikthimit të Drenicës në elitën e futbollit kosovar.

Pas një periudhe negociatash me investitorë të huaj dhe bashkëvendas, është arritur pajtimi për një bashkëpunim që synon të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme e të ndritur për klubin, akademinë e futbollit dhe brezat e rinj.

“Jam i lumtur që po i japim një mundësi zhvillimit pozitiv të klubit tonë, me miqtë tanë investitorë me vizion dhe projekt të qartë për të ardhmen e futbollit drenicas,” u shpreh Nura.

Kjo marrëveshje pritet të jetë një pikë kthese për FC Drenicën, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë organizativ dhe financiar.

Klubi, i themeluar në vitin 1958, ka pasur gjithmonë një bazë të fuqishme tifozësh dhe një lidhje të ngushtë me komunitetin lokal.

Ceremonia do të jetë e hapur për qytetarët, tifozët “Shqiponjat e Zeza”, veteranët e futbollit dhe të gjithë dashamirët e klubit, të cilët janë ftuar të jenë pjesë e këtij momenti historik.